Ekipi danez Bakken Bears vlerësohet favorit i madh për të fituar vendin e parë në grup, ai rumun, Steaua Bucuresht vlerësohet si më i dobëti dhe pritet t’i takojë vendi i fundit në grup – i katërti.
Kështu që Z Mobile Prishtina dhe ekipi ukrainas Cherkaski Mavpy do të bëjnë garë deri në fund për vendin e dytë në grup, që dërgon në fazën tjetër të FIBA Europe Cup.
Dhe këto dy skuadra do të takohen të mërkurën. Në rast të fitores së Prishtinës, atëherë vendi i dytë pothuajse sigurohet, shkruan sot Koha Ditore.
Ekipi kosovar kishte fituar ndeshjen e parë me Cherkaskin në Prishtinë (92:82), ndërkohë që ndeshja e kthimit do të luhet sot (18:00) në Vilnius të Lituanisë, pasi Ukraina nuk lejon futjen e sportistëve kosovarë në territor të vetin.
Prishtina pas tri xhirove ka dy fitore e një humbje, kurse ekipi ukrainas një fitore e dy humbje. Me tri fitore, Grupin E e kryeson Bakken Bearsi, kurse me tri humbje e mbyll atë Steaua.
Prishtinës mund t’i shkojë për shtati zhvillimi i lojës në terren neutral, por pritet të jetë pa organizatorin, Kyan Anderson. Ai është lënduar në stërvitjet e fundit. Amerikani në tri xhirot e para luajti me mesatare prej 12.3 pikëve dhe 9.3 asistimeve.