Kuvendi Komunal i Prishtinës pas shumë polemikave ka miratuar rishikimin e buxhetit për vitin 2017 i cili kap vlerën 1 milion e 232 mijë euro.
Rishikimi i buxhetit u miratua me 23 vota për, 11 kundër dhe 4 abstenime. E të gjitha polemikat erdhën pasi që sipas opozitës në buxhet kishte shumë paqartësi ku edhe u tha se gjysma e këtij buxheti nuk është e specifikuar.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, Halim Halimi me të hapur mbledhjen tregoi arsyen e thirrjes urgjente të kësaj të fundit.
“Data e fundit për rishikim të buxhetit është sot dhe se në këtë mbledhje nuk ka mundësi të shtohet asnjë pikë tjetër dhe nuk mund të diskutohet për asgjë përpos për buxhet.
Shefi i grupit të asamblistëve të LDK-së, Agim Gashi ka thënë se është e panatyrshme të diskutohet për rishikim të buxhetit pa prezencën e kryetarit të komunës Shpend Ahmeti dhe nënkryetarit Dardan Sejdiut.
“Është e panatyrshme kjo temë kur as kryetari e as nënkryetari nuk janë prezent, dhe e dyta pse kur Ministria e ka dërgu njoftimin me kohë me u lënë sot më u diskutu buxheti”, ka thënë ai.
Kurse Lirak Qelaj, nga radhët e PDK-së, ka thënë se kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka tradhtuar votën e qytetarëve të Prishtinës kur ka hyrë në garën për deputet të Kuvendit të Kosovës.
“Është e habitshme pse është dashtë një mbledhje kaq e ngutshme kur nuk kemi kohë që të diskutojmë për këtë material. E dyta me sa unë e di kjo është dashur të diskutohet në Komitetin për Politikë dhe Financa dhe e treta ekzekutivi nuk është këtu, por fakti qe ata janë fut në lista zgjedhore po shihet ku është interesi i qytetarëve. Mos-prezenca e tij në mbledhjen e Kuvendit Komunal tregon se ai se ka për qëllim zhvillimin e komunës por për qëllime të tjera”, ka thënë Qelaj.
Drejtori i Financave Ismail Kokaj ka shpjeguar shumën e rishikim të buxhetit prej 1 milionë e 232 mijë euro.
“Buxheti është 1 milionë e 232 mijë euro .Arsyeja pse po bëhet ky rishikim është që shpenzimet të jenë më efikase deri në fund të vitit”, ka thënë ai.