Qendra Khalid Boukichou ka mundësi t’i mungojë skuadrës së tij Z Mobile Prishtina në vikend kur e pret Trepçën, në ndeshjen derbi dhe të parën të stinorit pranveror.
“Boukichou është ftohur duke stërvitur”, ka thënë drejtori i skuadrës, Florian Miftari. “Ka kërkuar ndihmën e mjekut”, shkruan sot Koha Ditore.
Ftohja e tij dhe e shumë të tjerëve për vite duke stërvitur në palestrën e vogël të Pallatit të Sporteve në Prishtinë, në temperatura të ulëta në sezonin e dimrit, mund të jenë të fundit.
Të mërkurën, për herë të parë në 20 vjetët e pasluftës, temperatura në palestër gjatë ditëve të ftohta të dimrit, siç është rasti edhe këto ditë, ishte gati në kuotën që kërkohet me rregulla të FIBA-s.
Termometri shënoi 14.6 gradë Celsius, ndërkohë me tifozë brenda në palestër, temperatura pritet të arrijë 16 gradët e kërkuara nga FIBA për ndeshje.
Sistemi i ngrohtores së qytetit të Prishtinës tash është funksional edhe në palestër dhe lojtarët më nuk kanë nevojë të stërvitin me tuta, kapela e dorëza. Të paktën jo në Prishtinë, pasi në palestrat e qyteteve të tjera vazhdon të jetë problem i madh ngrohja.