Prishtina nis hartimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Rininë

Prishtinë | 31 Kor 2026 | 17:45 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se ka nisur hapat për hartimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Rininë, dokument që synon të krijojë politika të qarta dhe të zbatueshme për të rinjtë e kryeqytetit.

Sipas njoftimit, në kuadër të këtij procesi është mbajtur një punëtori me pjesëmarrjen e drejtorëve komunalë, asamblistëve dhe zyrtarëve nga sektorët që lidhen me rininë.

“Hapi i parë drejt realizimit të vizionit tonë për rininë është hartimi i një Strategjie dhe Plani të Veprimit të qartë, gjithëpërfshirës dhe të zbatueshëm. Për këtë qëllim, së bashku me drejtorë komunalë, asamblistë dhe zyrtarë nga sektorët kryesorë të lidhur me rininë, zhvilluam punëtorinë për draftimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Rininë”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Komuna bëri të ditur se gjatë punëtorisë, drejtori i Drejtorisë së Rinisë, Donat Gashi, prezantoi ecurinë e deritanishme të procesit, ndërsa kryesuesi i grupit punues për hartimin e strategjisë, asamblisti Endrit Zabergja, shpalosi objektivat dhe drejtimet kryesore strategjike.

Në njoftim theksohet se strategjia synon ta vendosë rininë në qendër të zhvillimit të kryeqytetit.

“Me bashkëpunim, unitet dhe përgjegjësi të përbashkët, po ndërtojmë një sistem të ri që vendos rininë në qendër të zhvillimit të Kryeqytetit”, thuhet më tej.

Komuna e Prishtinës njoftoi gjithashtu se punëtoria është realizuar në bashkëpunim me UNICEF-in, duke e falënderuar këtë organizatë për mbështetjen dhe partneritetin e vazhdueshëm.

“Kjo punëtori u realizua në bashkëpunim me UNICEF-in, të cilin e falënderojmë për mbështetjen dhe partneritetin e vazhdueshëm. Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe në programet dhe projektet e ardhshme në shërbim të të rinjve”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme