Prishtina shënon Ditën ndërkombëtare të privatësisë

Prishtinë | 27 Jan 2017 | 14:50 | Nga

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Zyrën Komunale për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës, organizuan disa aktivitete me rastin e 28 janarit Ditës Ndërkombëtare të Privatësisë.

Aktiviteti kryesor u zhvillua në shkollën “Xhemajl Mustafa”, me ç’rast para nxënësve të klasave VI – IX, Jeton Arifi, drejtor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Premtime Preniqi, zyrtare për mbrojtjen e të dhënave personale në Komunën e Prishtinës mbajtën ligjëratë mbi privatësinë, me fokus të veçantë gjatë përdorimit të teknologjisë informative.

Për nxënësit kjo ligjëratë është vlerësuar si shumë e nevojshme ngase kjo gjeneratë, sipas hulumtimeve të fundit  të bëra në vend, më se 97 për qind të tyre janë përdorues të internetit dhe pajisjeve të ndryshme teknologjike.

Si rezultat i kësaj, po ashtu mos informimi adekuat mbi sigurinë në rrjet, ka bërë qe në të shumtën e rasteve atyre t’u kanë keqpërdoren të dhënat personale në forma të ndryshme.

Agjencia këtë vit ka përzgjedhur shkollat e Komunës së Prishtinës, gjegjësisht nxënësit e klasave 6 deri 12, për t’i informuar sa më shumë mbi rolin dhe rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë.

Po ashtu, ligjërata të këtilla informuese u zhvilluan edhe në të gjitha shkollat e këtij niveli në Komunën e Prishtinës, në këtë rast ligjërues mbi rëndësinë e mbrojtjes së privatësisë ishin vet profesorët të përzgjedhur nga drejtorët e shkollave përkatëse, për të cilët është  shpërndarë me kohë një udhëzues të posaçëm.

shkolla

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme