Vetëm një, nga shtatë Komunat më të mëdha të Kosovës kanë përmbushur njërin nga gjashtë zotimet për qeverisje të mirë, të dhëna gjatë kohës së fushatës zgjedhore, kanë thënë drejtues të organizatës joqeveritare “Demokraci Plus”.
Kjo OJQ ka nxjerrë një raport, sipas të cilit nga të gjitha shtatë komunat e monitoruara, si: Prishtina, Prizreni, Gjilani,Gjakova, Peja, Mitrovica dhe Ferizaj, deri tani vetëm Komuna e Prishtinës ka publikuar shpenzimet e tremujorit të saj në sajtin zyrtar, si dhe ka dërguar në Kuvendin Komunal për diskutim raportin e këtyre shpenzimeve. Të gjashtë komunat e tjera ose nuk e kanë bërë asnjërin nga këta hapa, ose vetëm njërin prej tyre, shkruan sot Koha Ditore.
Kështu, sipas raportit, Komuna e Prizrenit dhe ajo e Pejës kanë publikuar raportin tremujor të shpenzimeve, por ende nuk e kanë vënë atë për diskutim në KK. Ndërkaq, komunat e Gjilanit dhe ajo e Gjakovës i kanë dërguar ato për diskutim në KK, por nuk i kanë publikuar ende raportet në sajtet zyrtare të institucioneve. Dhe janë dy komuna të tjera, ajo e Mitrovicës dhe Ferizajt, të cilat s’e kanë bërë as njërën dhe as tjetrën.