Mungesa e vullnetit të lidershipit lokal për të vepruar me vendosmëri përballë sfidave të ndryshme në territorin e Komunës së Prizrenit ka sjellë deri te degradimi i shumanshëm në komunën e dytë për nga madhësia në Kosovë.
Sipas vlerësimeve të njohësve të zhvillimeve në Prizren, mospërballja me këto probleme, vit pas viti, ka bërë që ato të rriten deri në pikën e shpërthimit.
Kësisoj, historia e degradimit të qytetit, sidomos në qendrën e mbrojtur, që kishte nisur dekada më parë, nuk është ndaluar as në dekadën e fundit.
Madje, sipas vlerësimeve të akterëve të ndryshëm, gjatë qeverisjes nëntëvjeçare të Partisë Demokratike të Kosovës, Prizreni është ballafaquar me degradimin urban e natyror, politik, ekonomik e social, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mirëpo zyrtarët e qeverisë komunale nuk pajtohen me konstatimet e tilla, duke pretenduar se kjo udhëheqje politike ka respektuar qytetarët, ka fituar besimin e tyre dhe se me përgjegjësinë më të madhe ka realizuar projekte të secilës sferë të jetës, në mënyrë që në Prizren të jetohet mirë. Për më shumë, sipas tyre, gjatë këtyre viteve ka edhe referenca ndërkombëtare se qyteti historik është destinacion që preferohet për vizitë.
Ndërkohë ka edhe eksponentë brenda ekzekutivit lokal që pranojnë se së paku në këtë mandat arritjet nuk kanë qenë në përputhje me pritjet dhe me planifikimet e bëra pas formimit të “qeverisë Muja 3”.