Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se niveli lokal do të vazhdojë investimet për kompletimin e infrastrukturës në zonën ekonomike, në Lubizhdë dhe në “Boka-boka”, ani pse ende nuk janë përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Haskuka ka bërë të ditur se aktualisht janë të plotësuar vetëm 6 kritere nga 16 sosh të nevojshme për shpalljen e zonës ekonomike. Sipas tij, në këtë zonë as transferi i pronës, përkatësisht dhënia në shfrytëzim të Komunës së Prizrenit nuk është realizuar, shkruan sot Koha Ditore.
“Në aspektin e Parkut ekonomik në Lubizhdë dhe në “Boka-boka” kemi vazhduar me investime, ku do të investohen 350 mijë euro, për të përfunduar investimet të cilat kërkohen për aspektin e infrastrukturës, si kanalizim, rrymë e ujë. Në të njëjtën kohë po punojmë që të adresojmë të gjitha 16 kriteret të cilat kërkohen që me u shpall zonë ekonomike. Momentalisht në këtë zonë janë të plotësuara vetëm 6 kritere. Pasi që do t’i plotësojmë këto kritere do të fillojë funksionalizimi i Parkut”, ka thënë Haskuka, të enjten, gjatë paraqitjes së raportit të punës për 100 ditët e para të qeverisjes.