Procesi zgjedhor, Policia: U iniciuan pesë raste

Prishtinë | 28 Dhj 2025 | 20:04 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës ka njoftuar se ka iniciuar 5 raste penale si; ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, ‘Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve’, ´Pengim i procesit të votimit´  dhe ‘Asgjësimi i dokumenteve të votimit’, ku personat e përfshirë në raste me vendim të prokurorëve kompetent janë liruar në procedurë të rregullt.  Ndërsa janë trajtuar 30 informata dhe në 5 raste janë evidentuar me ‘shënim zyrtar’.

Më tutje thuhet se “Aktivitetet policore për mbarëvajtjen të procesit zgjedhor, gjatë ‘Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës’, konkretisht gjatë votimeve të ditës së sotme, janë realizuar sipas planifikimeve të parapara. Zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa ndonjë incident madhor që do të kishte penguar apo cenuar procesin zgjedhor, andaj në aspektin e sigurisë vlerësohet se procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze. Një ndër qëllimet e planit operativ policor, ka qenë garantimi i një ambienti të qetë për votime, inicimi dhe procedimi i çdo vepre të mundshme penale në koordinim me organet e drejtësisë dhe dërgimi para organeve të drejtësisë të të gjithë  atyre që bijën ndesh me ligjin, konkretisht cenojnë procesin zgjedhor”.

Po ashtu në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ata thonë të jenë trajtuar dhe iniciuar edhe raste të tjera, raste këto të cilat nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor.

“Vlen të potencohet se Policia e Kosovës ka trajtuar çdo informacion i cili ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, si dhe ka trajtuar edhe raste tjera që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor. Aktivitetet policore për sot, janë realizuar me sukses sipas planifikimeve operative, falë edhe bashkëpunimit ndërinstitucional si dhe kulturës së lartë të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, ndaj të cilëve Policia e Kosovës është falënderuese”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Të ngjashme