Në UBT, të premten, u mbajt ligjërata tematike më titull “Arkitektura dhe urbanizimi nga Gjeneva në Prishtinë”, organizuar nga UBT dhe Shoqata e Miqësisë Franko-Shqiptare.
Në hyrje, dekani i Arkitekturës në UBT, prof. dr Lulzim Beqiri tha se sjellja e përvojave të arkitektëve ndërkombëtarë ofron një ndihmë të madhe për studentët e UBT-së.
“Studentët tanë kanë nevojë që të njihen me arkitekturën dhe mënyrën organizimit e të ndërtimit të objekteve nëpër vendet evropiane dhe mbi të gjitha, të mësojnë prej tyre”, u shpreh Beqiri, për të shtuar se, “UBT tenton vazhdimisht të mbajë lidhje në fushën akademike e kulturore me viset frankofone”.
Presidenti i Shoqatës Franko-Shqiptare, Tahir Shabani, ndërkaq, tha se qëllimi i tyre është që ta ndërkombëtarizojnë çështjen e Kosovës, në mënyrë që të hapin rrugë dhe mundësi të reja për studentët.
“Njohja me mënyrën e trajtimit të fushave të ndryshme nëpër vende të ndryshme, ndikon në marrjen e përvojave të reja për studentët tanë”, theksoi Tahiri.
Gjatë kësaj ligjërate, profesorët e arkitekturës, Sigfrido Lezzi, Christophe Piguet dhe Arnaud North, nga Gjeneva, prezantuan sfidat, vështirësitë dhe përgjegjësitë e këtij profesioni.
“Puna e arkitektëve kërkon durim, pasion dhe dinamikë të punës”, vlerësoi profesori Lezzi.
Ata treguan që, në Gjenevë ka një numër të madh të objekteve të lashta dhe të pashfrytëzuara.
“Qëllimi i planeve tona është që t’i shfrytëzojmë ndërtesat e vjetra, përmes konceptit arkitekturor dhe t’i fusim ato në shfrytëzim të të gjithëve”, potencoi profesori Piguet.
Duke shfaqur projektet e tyre arkitekturore, që kryesisht kishin të bënin me planifikimin e ndërtimit të shtëpive të të moshuarve dhe spitaleve, ata prezantuan para studentëve detajet e ndërtimit, planet, organizimin e punës, hapësirën, dhomat, pamjet, shëtitoret, klinikën mjekësore, si dhe tërë infrastrukturën përcjellëse brenda objekteve përkatëse, të dizajnuara prej tyre.
Ligjërata tematike e profesorëve Lezzi, Piguet dhe North, përfundoi me një debat, në të cilin u angazhuan profesorët dhe studentët e arkitekturës, të interesuar për të ditur më tepër në lidhje me stilin e ndërtimit zviceran.