Ish-studenti i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Nazyf Kabashi, menjëherë pas përfundimit të studimeve themelore, ka hapur byronë e vet projektuese, “Creative Studio”, ide këtë që e kishte qysh gjatë viteve të studimeve.
Kabashi tregoi se byroja e tij tashmë ka bërë emër dhe e ka dëshmuar profesionalitetin përmes projekteve, të cilat kanë arritur jo vetëm në tregun vendor, por edhe në atë evropian.
Deri tani, ai ka realizuar shumë projekte nëpër të gjitha qytetet e Kosovës, pastaj në bashkëpunim me biznesmenë kosovarë ka bërë realizimin e projekteve në vendet evropiane, përfshirë ndërtesën afariste-banesore në Suedi, tri shtëpi banimi në Zvicër, dy ndërtesa afariste-banesore në Gjermani dhe pesë ndërtesa banimi individual në Shqipëri.
Kabashi tha se e kishte ndjerë veten të gatshëm dhe të përgatitur profesionalisht për të ndërmarrë një hap të tillë, falë praktikave të mira të punës, të cilat i ka përfituar nga studimet dhe nga profesorët e UBT-së.
“Studimet në UBT më ndihmuan shumë në aspektin profesional, duke marrë parasysh teknologjinë dhe stafin shumë të kualifikuar që e ka UBT, mbi të gjitha, ofron bashkëpunim të ngushtë në relacionin studentë-profesorë, ku pos teorisë dhe demonstrimeve të ndryshme të arkitekturës, u mundëson studentëve që ta shndërrojnë në praktikë secilën pjesë teorike të mësuar”, theksoi ai.
Falë marrëveshjes së arritur me një firmë në Gjermani, Kabashi do ta transferojë byronë e tij projektuese në këtë shtet, ku planifikon t’i vazhdojë edhe studimet e nivelit master.