Është përmbyllur sot projekti i binjakëzimit: “Përmirësimi i përafrimit të ligjeve dhe koherenca e Kornizës Ligjore“. Qëllimi i këtij projekti ishte fuqizimi i sistemit ligjor të Kosovës duke e përkrahur procesin e harmonizimit me legjislacionin e BE-së në njërën anë dhe konsolidimin e rendit juridik në anën tjetër.
Në këtë projekt janë konsoliduar këto katër ligje: Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës; Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës; Ligji për Prokurorinë e Shtetit.
Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, e falënderoi partnerin gjerman për përfundimin e projektit të Binjakëzimit që sipas saj, do ta bëjë fuqizimin e sistemit ligjor në Kosovë.
“Nëpërmjet këtij projekti është mundësuar edhe një përmirësim i dukshëm i koherencës së rendit juridik të brendshëm dhe është forcuar shteti i së drejtës. Ky projekt ka ndihmuar edhe në promovimin e sigurisë ligjore si një nga elementet themelore të sundimit të ligjit”, tha Hoxha.
Udhëheqës i Sektorit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së Christof Stock, tha se me përfundimin e këtij projekti të Binjakëzimit nuk zgjidhen problemet, por shpresojnë se ky proces do të vazhdojë më tutje sepse ka një ndikim të fuqishëm.
Zëvendësambasadorja e Gjermanisë në Kosovë Christina Gehlsen, tha se Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë është e kënaqur me bashkëpunimin rreth këtij projekti, përfundimi i të cilit është i rëndësishëm për shkaqe juridike, konsolidimit dhe bën lehtësimin për ata që merren me këtë fushë.
Ky projekt u financua nga BE-ja dhe u menaxhua nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.