Projektligji për Arsimin e Lartë shpresën për miratim e ka te Lista Serbe

Prishtinë | 10 Dhj 2018 | 14:36 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka shqyrtuar Projektligjin për Arsimin e Lartë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se Projektligji për Arsimin e Lartë është një projektligj mjaft modern në krahasim me ligjin i cili është aktualisht në fuqi, raporton Ekonomia Online.

Ai ka treguar se në projektligj janë bërë disa ndryshime.

“Qëllimet kryesore të ndryshimeve që janë bërë në projektligj kanë të bëjnë me modernizimin dhe qeverisjen në institucionet e arsimit të lartë në mënyrë që të ngritët cilësia. Kemi bërë kufizime në institucionet që kanë të drejtë të prodhojnë profesionistë të arsimit. Kjo kompetencë do të ju kalohet vetëm institucioneve publike”, tha Bytyqi.

Ai ka thënë se në këtë projktligj  janë bërë disa kufizime në ngritjen e cilësisë së arsimit.

“Projektligji me rishikimet që kanë ndodh, janë bërë disa ndryshime që kanë rëndësi të veçantë, ajo që shihet në këtë projektligj është se kemi bërë disa kufizime në ngritjen e cilësisë së arsimit. Forma se si mund ta fitoj statusin si një institucion i lartë, me ligjin qartë janë objektivat që ka secili institucion ku duhet përmbushur për të marrë një licencë. Ligji ka ndjekur gjitha procedurat, propozimi që kolegjet private të kenë statuse që nuk kanë përfitim ka ardhur si ndihmesë nga bashkësia evropiane”, tha Bytyqi.

Anëtari i komisionit, deputeti Driton Çaushi tha se universitetet në Kosovë nuk janë në nivelin që duhet të jenë. Sipas tij, universitetet publike kanë probleme të mëdha. Ai tha se në Universitetin e Prizrenit është një numër u vogël i stafit akademik në krahasim me numrin e madh të studentëve që ka, raporton EO.

Anëtarja, Teuta Haxhiu tha se kemi nevojë që në këtë projektligj të kemi sa më pak akte nënligjore sepse këto po krijojnë një huti dhe ligjet që nuk po përgatiten mirë po përmbajnë shumë akte nënligjore.

Haxhiu e konsideroi si një projektligj mjaft të rëndësishëm, por sipas saj projektligji duhet t’i marr të gjitha votat, përfshirë edhe votat e komunitetit serb të cilët së fundi herë nuk e kishin votuar pro.

“Një nga projektligjet më të rëndësishme të institucioneve të arsimit të lartë, por duke dashur me rregullu shumë fusha edhe pse ky ligj fatkeqësisht, paketa e ligjit të arsimit kërkon votat e komunitetit serb që për mua është e padrejtë dhe nuk mund të kalojnë ligjet pa qenë votat e komunitetit serb”, tha Haxhiu.

Anëtarja, Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se Universiteti “Kadri Zeka” pranon studentë të shumtë edhe nga rajoni dhe se ka nevojë për të investuar në infrastrukturën pasi që ka pak hapësirë dhe se duhet bëhet ndërtimi i Kampusit Universitar.

“Unë jam që të ruhen universitetet publike që janë aktualisht dhe të kontribuohet më tepër në staf dhe infrastrukturë”, tha Bunjaku-Rexhepi.

Ministri Bytyqi tha se projektligji ka ende nevojë të ndryshohet dhe se mirëpret gjitha sugjerimet dhe komentet e anëtarëve të komisionit dhe se bashkërisht ai shpreson se do te finalizohet një projektligj i mirë.

“Ne si MAShT jemi të hapur për secilin pozicion të ligjit që është për të mirë dhe për ngritjen e cilësisë së lartë dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me komisionin për arsim. Universitetet publike kanë nevojë të rishikohen dhe të analizohen se cilat universitete e meritojnë të quhen universitete. Pagesat për studentët janë pak dhe janë simbolike, ajo nuk është pagesë e një semestri që po e kryen por për punën që po bëhet dhe nuk bie ndesh me të drejtën e edukimit të lartë dhe pagesën”, tha Bytyqi.

Projektligji për arsimin e lartë me votat pro të deputetëve u dërgua për lexim te dytë, me një votë abstenim nga Driton Caushi.

Pika që u shtua në komision ishte Marrëveshja ndërkombëtare, Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave në mes ambasadës së Francës dhe MAShT-it, e cila po ashtu dërgua në lexim të parë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se kjo marrëveshje është e rëndësisë së veçantë për studentët kosovarë.

“Ambasada e Francës ka shpreh gatishmëri që studentët tanë në Universitetet e Francës të ndjekin dy nivele të masterit dhe financimin e bursave ta bëj Zvicra”, tha Bytyqi.

Të ngjashme