Avokati Dastid Pallaska ka komentuar zhvillimet që po bëhen me qëllimin për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Pallaska tha se Prokuroria e Gjykatës Speciale qysh sonte mund të shpallë fletëarrestet për t’i ndjekur ata që po përpiqen ta pengojnë drejtësinë.
“Shfuqizimi i Gjykatës Speciale për të parandaluar arrestimin dhe ndjekjen penale të disa pushtetarëve është pengim i drejtësisë, pra është vepër penale. Kjo do të thotë që Prokuroria e Gjykatës Speciale ka mundësi që qysh sonte – sipas ligjit që aktualisht është në fuqi – të shpallë fletëarrestet dhe të filloj ndjekjen penale të atyre që po synojnë të pengojnë drejtësinë!
Që nga fillimi kam qenë kundër Gjykatës Speciale sepse kam qenë i bindur që me themelimin e saj disa pushtetarë kanë synuar të “blejnë” imunitet personal nga përgjegjësia penale për krimet që kanë kryer gjatë dhe pas luftës. Për të njëjtat arsye sot jam kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale kur kjo po bëhet për të shpëtuar nga arresti disa pushtetarë të cilëve edhe ashtu ju ka skaduar afati”, ka shkruar ai.