Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë ka thënë se sot janë raportuar disa incidente në procesin e zgjedhjeve, mirëpo asnjë nga to nuk ka pasur elemente të veprës penale.
Nikqi është shprehur se këto incidente lidhen me fotografimin e votës.
“Deri më tani janë raportuar disa incidente që janë mund të themi të izoluara për shkak që nuk ka pasur edhe elemente të veprës penale, kryesisht kanë qenë raste që është raportuar nga kryesuesit apo vëzhguesit te Policia e Kosovës për fotografim të votës, mirëpo pas verifikimit nga pjesëtarët e policisë te personat e dyshuar, nuk është vërtetuar një gjë e tillë, ndërkaq ka pasur edhe raste të tjera, por në koordinim me prokurorin e shtetit është vlerësuar se nuk ka pasur elemente të veprës penale. Mund të themi lirisht se deri tani ka shkuar procesi i qetë dhe pa pasur nevojë që të intervenojë prokuroria apo policia e Kosovës”, ka thënë ai në T7.
Nikqi ka treguar edhe në cilat komuna janë raportuar incidentet që lidhen me fotografimin e votës.
“Një rast në komunën e Pejës, ki kryesuesi i vendvotimit ka raportuar te Policia e Kosovës lidhur me dyshimin se një votues ka fotografuar votën, mirëpo pas verifikimit nga Policia e Kosovës nuk është vërtetuar se vota është fotografuar, ndërsa një rast tjetër ka qenë në Komunën e Junikut, me ç’rast as aty nuk ka dal se është fotografuar vota. Realisht është një proces që është i njëjtë, nuk ka pasur ndonjë rast që është dashur qoftë të arrestohet ndonjë person apo të paraburgoset, deri tani ka shkuar procesi i qetë dhe shpresoj të vazhdoj kështu edhe tutje”, ka shtuar ai.