Prokuroria Themelore e Prizrenit aktualisht i ka në punë 26 kallëzime penale kundër 36 personave lidhur me veprat penale të korrupsionit.
Sipas drejtuesve të këtij organi të ndjekjes, këto raste janë të viteve 2015 dhe 2016, ndërkohë që ato të viteve të mëparshme janë përmbyllur varësisht prej provave që janë gjetur gjatë procedurës hetimore, shkruan Koha Ditore.
“Aktualisht në punë i kemi 26 raporte përkatësisht kallëzime penale lidhur me veprat penale të korrupsionit kundër 36 personave. Këto na kanë ngelur në punë, ngase janë raste të viteve 2015 dhe 2016. Të gjitha janë aktive dhe janë marrë veprime sipas ligjit. Nuk kemi raste të viteve të mëparshme, ngase e kemi zbatuar një strategji që e kemi për lëndët kundër korrupsionit”, ka thënë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha.
Megjithatë, sipas tij, gjatë tri viteve të fundit, kjo Prokurori ka trajtuar numër të konsiderueshëm të rasteve që janë dyshuar për korrupsion.