Për zgjedhjet e parakohshme nacionale që do të mbahen të dielën, më 11 qershor, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës, thuhet në një njoftim.
Ky është njoftimi i plotë:
Për zgjedhjet e parakohshme nacionale që do të mbahen në vendin tonë, më 11 qershor 2017, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës.
Në këtë kontekst është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit në mes të Prokurorit të Shtetit, KQZ-së, PZAP-it, KGJK-së dhe Policisë së Kosovës me qëllim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për parandalimin e shkeljeve ligjore duke përfshirë hetimin, ndjekjen dhe gjykimin efikas të të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit (kapitulli XVIII të Kodit Penal).
Për më tej është miratuar dhe ka hyrë në fuqi Plani i veprimit të sistemit prokurorial që përcakton detyrat dhe obligimet e prokurorëve gjatë procesit zgjedhor. Prokuroria së bashku me Policinë e Kosovës kanë miratuar “Procedurat standarde të veprimit” me qëllim të specifikimit të veprimeve të përbashkëta standarde në të gjitha rastet që ndodhin gjatë procesit zgjedhor.
Në planin e veprimit të sistemit prokurorial është përcaktuar funksionimi i dhomës operative për koordinim me të gjithë prokurorët që do të kryejnë detyrën e tyre në të gjitha 38 komunat e Republikës së Kosovës, respektivisht në 7 objektet e prokurorive themelore dhe në 31 stacionet e policisë në ato komuna ku prokuroria nuk ka objekt të vetin.
Në këto zgjedhje të parakohshme do te angazhohen rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial.
Në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, pra më 11 qershor 2017, këta prokurorë do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme.
Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.
Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula do ta mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ. Gjithashtu, koordinatorja Pula për të gjitha aktivitetet gjatë tërë procesit zgjedhor do të komunikoj me opinionin publik.
Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.
Të gjithë të interesuarit për të paraqitur në prokurori çdo rast, për të cilin kanë dyshime se mund të jetë kryer vepër penale, mund të komunikojnë me prokurorët kujdestarë duke i takuar ata në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe në Ferizaj, në ndërtesat e prokurorive themelore, ndërkaq, në qytetet ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore.