Prokuroria Themelore e Prizrenit ka vazhduar në intervistimin e dëshmitarëve të tjerë në rastin e mjekut popullor i njohur për publikun si Burdushi.
Kjo pasi që sipas Prokurorit përgjegjës për media, Petrit Kryeziu, në prokurori po paraqiten dëshmitarë të tjerë të cilët e ndiejnë veten të dëmtuar në lidhje me rastin e “Burdushit”.
“Ne kemi pasur në këtë rast të dëmtuar që nga fillimi i procedurës, mirëpo në ndërkohë gjatë hetimeve janë paraqitur dhe po vazhdojnë të paraqiten edhe qytetarë të tjerë të cilët e ndiejnë veten të dëmtuar, në mënyrë që të njëjtit të mund të realizojnë kompensim të dëmit në fund të kësaj procedure penale”, tha Kryeziu për Kallxo.com.
Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, është arrestuar në nëntor të vitit të kaluar.
Policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren kishte bastisur shtëpinë e “Burdushit” nën arsyetimin për shmangie nga tatimi dhe mashtrim.