Prokuroria e Prizrenit është duke shqyrtuar kërkesën e familjes Dehari, që autopsia e djalit të tyre të vdekur në burgun e Prizrenit, të bëhet në prezencën e mjekëve të pavarur dhe neutralë që do të caktohen nga vet familja.
Kjo kërkesë e familjes Dehari erdhi pasi ata thonë se për shkak të deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës, kanë arsye të mos besojnë plotësisht në institucionet shtetërore.
Metush Biraj, Prokuror kujdestar në Prokurorinë e Prizrenit, ka thënë për Klan Kosovën se parimisht nuk kanë probleme më këtë kërkesë të familjes së të ndjerit, porse ajo duhet të shqyrtohet hollësisht për të parë a është e mundur ligjërisht të realizohet diçka e tillë.
“Prokuroria e Prizrenit në parim e përkrah kërkesën e familjarëve, nëse kështu do të garantohej një proces më i besueshëm për ta. Mirëpo jemi duke konsultuar paragrafët ligjorë për të parë nëse është e mundur kjo dhe nuk përben ndonjë shkelje ligjore”.
Për familjen Dehari, “kontradiktat në deklaratat e institucioneve të ndryshme, janë tejet shqetësuese”.
Astrit Dehari, aktivistët i LVV-së, ka vdekur të shtunën në mbrëmje, ende në rrethana të paqarta.
Ai po mbahej në burg nën akuzat për një vepër, që institucionet e drejtësisë e cilësonin terroriste. Vetëvendosje insistonte se po mbahej në burg pa prova dhe tendencë nga pushteti.