Prokuroria pushon hetimet për borxhin 22 milionësh (Video)

Prishtinë | 05 Tet 2016 | 22:55 | Nga

Me aktvendim për pushim të hetimeve, Prokuroria Themelore e Prishtinës u ka dhënë fund hetimeve ndaj zyrtarëve të ATK-së, Nikson Mirdita dhe Fehmi Veselaj, të cilët dyshoheshin se ua kishin falur borxhin 46 subjekteve afariste në vlerë prej mbi 22 milionë euro.

Prokuroria e Prishtinës u ka dhënë fund hetimeve të nisura me kallëzimin penal të Policisë të datës 30 prill 2015 ndaj të dyshuarve Nikson Mirdita dhe Fehmi Veselaj.

Mirdita e Veselaj akuzoheshin se si zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës ua kanë falur borxhin 46 subjekteve afariste në vlerë të përgjithshme prej 22 milionë e 664 mijë e 118 euro.

Pas hetimeve lidhur me këtë rast Prokuroria ka konstatuar se bazuar në ligjin për ATK-në, borxhet tatimore mund të transferohen si borxhe në një dosje pasive sa për t’i larguar nga baza e të dhënave aktive të mbledhjes.

Po ashtu, Prokuroria erdhi në përfundim se nuk është vërtetuar se në veprimet e të dyshuarve janë paraqitur elementet të cilat e përbëjnë figurën e veprës penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare, ngase nuk është vërtetuar qëllimi i shkaktimit të dëmit apo qëllimi i përfitimit për vete apo për tjetrin.

Tomë Gashi, avokati i të dyshuarit Nikson Mirdita thotë se mënyra se si është proceduar ky rast është një shembull jo i mirë.

“Ky është një rast eklatant që duhet të shihet fare qartë se shumë lehtë njerëzit arrestohen pa kurrfarë provash, pastaj nga e njëjta prokurori edhe lirohen. Unë mendoj se e mirë është se janë liruar, janë kryer hetimet dhe nuk ka kurrfarë dyshimi se ata të kenë kryer ndonjë vepër penale, ndërsa e keqja është arrestimit dhe ndalimi i tyre për 48 orë në qendrën e paraburgimit”, tha Gashi.

Gashi më tej thotë se tërë ky rast ishte pasojë e lojërave politike brenda ATK-së.

“Ka qenë fare e qartë prej momentit të parë se kemi të bëjmë me një luftë politike në mes të zyrtarëve të caktuar për shkak të emërimit potencial të drejtorit të ri të ATK-së dhe Nikson Mirdita është përzgjedhur si një prej atyre që duhej të sakrifikoheshin”, shtoi avokati.

Avokati Gashi tha po ashtu se në këtë rast nuk ka pasur fare nevojë të hetohet sepse dokumentacioni e ka bërë të qartë këtë.

“ Dokumentacioni në këtë rast ka folur vetë. Nuk është se Nikson Mirdita është liruar se unë kam qenë avokat i mirë në rastin e mbrojtjes së tij por se të gjitha dokumentet dhe provat që vetë prokurorët i kanë pasur e kanë vërtetuar që nga dita e parë se nuk ka të bëjë me kurrfarë keqpërdorimi të detyrës zyrtare, nuk ka të bëjë fare me faljen e borxheve të papaguara ndaj ATK-së, por ka të bëjë me futjen e borxheve në fajllin pasiv”, tha Gashi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme