Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik që deri në ora 20:30, në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë raportuar 23 raste lidhur me procesin zgjedhor që është zhvilluar sot.
Pas marrjes së informatave dhe pas verifikimit të tyre nga prokurorët në tërë territorin e Republikës së Kosovës, rezulton se nga 23 raste të raportuara, janë intervistuar 7 persona, 6 prej tyre janë liruar pasi që nuk ka pasur elemente të ndonjë vepre penale që lidhen me procesin zgjedhor.
Ndërsa, ndaj një personi është iniciuar procedurë penale në drejtim të veprës penale “Pengim i procesit zgjedhor”, sipas nenit 217, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i Shtetit do të vazhdojë të përcjellë situatën deri në përfundim të procesit zgjedhor si dhe për çdo rast do të njoftojë opinionin.
Me këtë rast, Prokurori i Shtetit falënderon qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këto zgjedhje.