Prokurorja e Specializuar reagon pas vendimit, thotë se i mirëpret dënimet

Prishtinë | 16 Sht 2026 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Prokurorja e Specializuar Kimberly West ka mirëpritur aktgjykimin e sotëm në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit duke e quajtur atë të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë dhe drejtësi të vonuar për viktimat.

 “Trupi gjykues vendosi që secili nga katër të akuzuarit mban përgjegjësi penale individuale për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme. Z. Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Z. Veseli me 18 vjet, Z. Selimi me 13 vjet, dhe Z. Krasniqi me 25 vjet”, thuhet në komunikatë.

 Vendimi i sotëm, që bazohet vetëm në fakte dhe ligj, është i rëndësishëm për vënien para

përgjegjësisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, ka thënë ajo, transmeton Klankosova.tv.

“Gjykata ka konfirmuar se asnjë individ, pavarësisht rangut apo autoritetit politik, nuk është mbi ligjin dhe nuk ka imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare”.

Prokurorja e Specializuar theksoi se çështja gjyqësore që ZPS-ja paraqiti kishte të bënte me përgjegjësinë penale individuale dhe nuk vë në dyshim ndonjë narrativë historike.

“ZPS-ja bën përgjegjës individë për veprimet e tyre, në përputhje me mandatin e saj, asgjë më shumë,” vazhdoi Znj. Uest. “ZPS-ja nuk ka ndjekur penalisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, as luftën e bërë për pavarësinë e Kosovës.

“Individë të caktuar shfrytëzuan ato rrethana të luftës për të kryer krime të rënda, dhe është për meritë të Kosovës që këta individë nxirren tani para përgjegjësisë.”

Në procesin e paraqitjes së provave të saj, ZPS-ja thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë dhe paraqiti si dëshmi rreth 3 000 prova materiale të ZPS-së në shumë gjuhë.

Trupi gjykues konstatoi në aktgjykimin e tij se zotërinjtë Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi

ishin fajtorë për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar kundër të paktën 385

personave, trajtim mizor kundër të paktën 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër të paktën 96 personave.

Krimet u kryen kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime në një periudhë nga prilli i vitit 1998 deri në 20 qershor të vitit 1999 në komuna në të gjithë Kosovën dhe në dy rrethe në Shqipërinë veriore.

Prokurorja e Specializuar vuri gjithashtu në dukje se Zyra e ZPS-së do ta shqyrtojë të gjithë

aktgjykimin me kujdes ditët e ardhshme, përfshirë gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit që nuk çuan në dënime.

Të ngjashme