Bajram Kosumi promovon librin “Zhanret e Gazetarisë”

Prishtinë | 15 Nën 2016 | 13:48 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare u promovua libri “Zhanret e Gazetarisë” i autorit Bajram Kosumi.

Autori i librit tha se për këtë libër ka punuar plot tetë vjet, i frymëzuar dhe i nxitur nga studentët e tri universiteteve, ku ai ka punuar si ligjërues.

“Tetë vjet, pyetjet, interesimi dhe shikimet e studentëve në UP, UBT dhe UT, më kanë motivuar për ta shkruar këtë libër”, tha Kosumi, sipas të cilit në institucionet e larta të arsimit në Kosovë, në përgjithësi mungon fryma akademike, debatet dhe diskutimet mes profesorëve dhe studentëve.

“Prandaj, ky libër është shkruar së bashku me studentët dhe për studentët, për të ngritur nivelin akademik në fushën e gazetarisë në një shkallë më të lartë”, theksoi ai.

Recensentët e këtij libri thanë se krahas studentëve të gazetarisë, këtë libër mund ta përdorin edhe studiuesit e tekstit dhe të zhanreve në gjuhësi, letërsi, si dhe përfaqësuesit e medieve.

Milazim Krasniqi, profesor i gazetarisë, u shpreh se promovimet e tilla janë një rast për reflektim, “veçmas lidhur me injorimin kronik që është duke u bërë në Universitetin e Prishtinës, për nevojën që studentët të kenë libra universitarë cilësorë në gjuhën shqipe, në pajtim me programin studimor”.

“Ky libër i shkëlqyer universitar i profesor Kosumit është shkruar me respekt dhe dashuri sublime për studentët e motivuar për të nxënë dije, nga të cilët autori ka kuptuar se sa shumë ia vlen të punosh për ta”, ka pohuar ai.

Krasniqi falënderoi Kolegjin UBT-në për kontributin e dhënë në botimin e këtij libri, si “pasuri e shtuar për secilin student që studion në fushën e gazetarisë”.

Recensenti tjetër i këtij libri, Besim Abazi, tha se në këtë kohë shumë të vështirë kur kufijtë midis zhanreve po thyhen për shkak të ndryshimeve të mëdha teknologjike. “Teknologjia e re na ka bërë të gjithëve gazetarë, por gazetarëve ua ka shtuar më shumë misionin”.

Abazi tha se në libër trajtohen shembuj se si duhet të shkruhet, por edhe si nuk duhet të shkruhet.

“Ne u përpoqëm që një libri kaq të nevojshëm, t’i shtojmë shembuj praktikë, në mënyrë që të bëhen sa më të kapshëm për studentët”, theksoi Abazi.

Libri është botuar nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT). Profesori i këtij kolegji privat, Safet Zejnullahu, tha se UBT-ja në vazhdimësi ka krijuar kushte pune: infrastrukturë, studio konkretizimi, mundësi për punë praktike në mediat e UBT-së dhe mediat partnere, ka angazhuar mësimdhënës profesionistë nga Kosova dhe jashtë saj dhe – më kryesorja – ka siguruar literaturë të mjaftueshme dhe bashkëkohore për studentët.

“Në këtë vazhdë, libri i prof.dr. Bajram Kosumit ‘Zhanret e Gazetarisë’, më i riu – por edhe më i kompletuari në këtë fushë – është një kontribut shtesë, një vlerë e pakrahasueshme, një ndihmesë e madhe për studentët e UBT-së, tashmë të të dy niveleve, ata të studimeve themelore, por edhe ata të nivelit master”, theksoi Zejnullahu, me konstatimin se edhe ky libër është dëshmi se UBT kujdeset vazhdimisht për publikimin e librave të profesorëve të angazhuar në këtë institucion.

Për kontributin e autorit dhe rëndësinë e librit folën edhe studentët dhe ish-studentët e Kosumit, Blerta Blakaj, Samir Shala etj. Ata thanë se ndihen me fat që kanë pasur mundësinë të dëgjojnë ligjëratat dhe të marrin njohuri nga profesori Kosumi. Libri ka gjithsej 412 faqe dhe është i ndarë në pesë kapituj.

Kosumi është po ashtu autor i librave: “Tipologji dhe zhanër’, “Koncept për subpolitikën”; “Fjalor i Barbarëve”,”Koncept për mendimin e ri politik”, “Lirika e Fishtës”, “Një vit vendimtar”, “Letërsia nga burgu” dhe “Fishta dhe tradita letrare shqiptare”.

“Kemi njerëz të zotë në Kosovë, kemi njerëz të mençur, shkencëtarë; por në institucionet tona të arsimit të lartë mungon pak fryma akademike”, ka shtuar ai.

libri-i-bajramit-1 milazim-krasniqi besim-abazi libri-i-bajramit

Të ngjashme