Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës ka promovuar monografinë “Masakra e Reçakut – krim kundër njerëzimit”.
Ismet Salihu, nga ky Institut, tha se në këtë monografi prezantohet një ndër masakrat më të rënda të luftës së viteve 1998-99, raporton Ekonomia Online.
“Promovimi i këtij libri është një ngjarje që promovon apo fakton atë çka ka ndodhur gjatë lutës dhe i bëhet e ditur gjeneratave të ardhshme se çfarë sakrifice sublime ka bërë populli i Kosovës dhe shërben si ideal që të ruhet liria dhe pavarësia e vendit”, tha ai.
Ai tha se kjo monografi është shkruar nga një grup autorësh, ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe dëshmitar okularë.
“Në vitin 1999, forcat serbe i ekzekutuan në mënyrën më mizore dhe barbare ndaj civilëve. Këtu u vranë dhe u masakruan 42 civilë. Në altarin e lirisë ranë 11 pjesëtarë të UÇK-së, derisa tentonin të ruanin viktimat e kësaj masakre nga forcat serbe që donin të zhduknin gjurmët e këtij krimi kundër njerëzimit”, kujtoi Salihu.
Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës deri më tani kanë publikuar 8 monografi të ngjash,e si ka marrë pjesë në shumë ekspozita.
Ky institut u themelua në vitin 2011, përderisa drejtues të Institutit, po thonë që atyre u duhen resurset për të grumbulluar gjithë materialin që gjendet në terren.
“Nuk jemi të kënaqur, edhe pse është bërë punë; ngase duhet bërë punë shumë të madhe. Mijëra e mijëra krime duhet të hulumtohen. Por me këtë buxhet dhe staf, Instituti nuk mund të bëjë më shumë. Nuk kemi as kushte për punë dhe nëse vazhdohet kështu të trajtohet ky institut do të vështirësohet puna dhe do të bëhet edhe një krim i atyre viktimave të luftës”, u shpreh Salihu.
Salihu u ka bërë thirrje qeverisë së re që të angazhohet në rritjen e kapacitetet të institutit. “Iu bëj apel institucioneve më relevante të Kosovës, sidomos ministrit Abelard Tahiri, që urgjentisht të angazhohet në rritjen e hulumtuesve dhe së paku të emërohen hulumtues të terrenit. Nëse nuk bëhet kjo, koha do t’i zbehë dhe do të bëjë të pamundur zbardhjen e krimeve të luftës”, tha ai.
Ahmet Qeriqi, drejtor i Radios Kosova e Lirë, tha se e veçantë e kësaj monografie është ngase është botuar edhe në gjuhën angleze.
“Ky është ribotim i librit të cilin e kemi publikuar në vitin 2004. E veçanta e kësaj monografie është se u botua edhe në gjuhën angleze dhe përshkruan në radhë të parë atë çka ka ndodhur gjatë kohës së masakrës dhe pas saj”.
Mesi i janarit të vitit 1999 ishte fatkeq për 45 banorë të Reçakut. Të mbijetuarit kujtojnë se përveç forcave ushtarake e policore, kryes të krimit kanë qenë edhe serbët lokalë.
Një ditë pas kësaj masakre, ambasadori William Waker, si kryesues i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, përçoi mesazh për gjenocidin që po kryenin forcat serbe mbi civilët shqiptarë.
Pak pas kësaj masakre, nisi fushata 78-ditore e bombardimeve ajrore të NATO-s.