Propozohet të dëgjohen gazetarët e larguar nga puna në RTK, deputetët e VV-së: S’jemi inspektorat i punës

Prishtinë | 24 Shk 2026 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Ariana Musliu-Shoshi ka përsëritur propozimin për dëgjim publik në muajin mars për punëtorët e larguar nga puna së fundmi nga Radio Televizionin i Kosovës (RTK), por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri ka thënë se nuk janë ata inspektorati i punës, dhe se fillimisht duhet të pritet vendimi i këtij inspektorati për t’i dëgjuar, raporton Ekonomia Online.

“Kemi diskutuar paraprakisht që të ftojmë në dëgjim publik tri vajzat të cilat janë larguar nga puna në RTK dhe anëtarët e Bordit, dhe këtë kam menduar ta bëjmë në fillim të muajit mars”, tha Musliu-Shoshi.

Edhe deputetja nga PDK, Ganimete Musliu kërkoi që të caktohet data dhe të dëgjohen deklaratat e tyre.

“Në parim jemi dakorduar që kjo të bëhet dhe mendoj se sot duhet ta caktojmë një datë se kur jemi të gatshëm që ne të procedojmë me këtë çështje”, potencoi Musliu.

Por njësoj nuk mendon deputeti i LVV-së, Fitim Haziri.

“Edhe atë ditë është diskutuar kur e mbajtëm mbledhjen, unë nuk ndërhyra dhe mendoj se si komision nuk na takon neve të thërrasim menaxhmentin e RTK-së përderisa nuk kemi bord të RTK-së. Nuk ke mundësi me thirr drejtorin pa e thirr bordin, sepse nuk e lejon rregullorja. Ne nuk e dimë çka ka ndodhë. Së pari duhet me kalu, janë disa faza. Ato, nëse me të vërtetë janë largu prej punës padrejtësisht, së pari i drejtohen Inspektoratit të Punës dhe ne duhet me prit, sepse nuk mundemi me luajt rolin e Inspektoratit. Me pasë qenë ndonjë organizatë tjetër, ato i ishin drejtuar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civilë dhe kishim prit vendimin e tyre. E presim vendimin e Inspektoratit të Punës dhe nëse ka pasë të drejtë, do të sqarojë çdo send vendimi. Nuk mundemi me luajt rolin e Inspektoratit të Punës. Nuk jemi Inspektorat”, tha ai.

Por këtu ai mori një përgjigje nga kryetarja e Komisionit, duke i thënë s’ka ligj dhe rregullore që e ndalon seancën dëgjimore.

“Mendoj që kërkush nuk na ndalon, as ligji, as rregullorja, që të kemi seanca dëgjimore. Nëse është kërkesë e tyre, ne duhet ta trajtojmë patjetër. Kushdo që ka kohë prej deputetëve, mundet me i dëgju, por nëse nuk keni mundësi, mundeni mos me ardhë”, iu përgjigj Musliu-Shoshi.

Ndërsa, Time Kadrija nga AAK tha se si komision do të mbikëqyrin cdo insisitucion që është në kompetencën e saj.

“Mendoj që kryetarja e tha shumë mirë. Ajo çka na lejon ligji me mbikëqyrë dhe me bo, nuk duhet t’i ikim përgjegjësisë si komision. Ajo çka nuk është kompetencë e këtij komisioni dhe është antiligjore, ne nuk e bëjmë. Ne duhet me pa bazën ligjore, a kemi të drejtë edhe për ndërmarrje publike me i mbikëqyrë. Nuk do t’i ikim mbikëqyrjes së asnjë institucioni që bie në fushëveprimtarinë e këtij komisioni”, tha Kadrijaj.

Të ngjashme