Punëtorët e Ndërmarrjes “Pastrimi” protëstuan para komunës së Prishtinës duke shprehur pakënaqësinë me mospagesat nga ana e komunës së Prishtinës ndaj kësaj ndërmarrjeje, raporton Ekonomia Online.
“Paguaje borxhin o borxhli i keq”, “Mos bëj politikë me dështimin tënd”, “Na lë të punojmë”, ishin disa nga pankartat që punëtorët mbanin në duar.
Punëtori Ilaz Rexhepi u shpreh i revoltuar, duke thënë se ata kanë punuar pa pushim për ta mbajtur kryeqytetin të pastër, por nuk janë shpërblyer për punën e tyre.
“Deri sot kush e mbajti kryeqytetin. Shikoni lagjet. Po ai hajn tyë bëjë hajgare me ne. Ne punojmë 24 orë në ditë. Nuk kemi qenë të shpërblyer me asgjë. Jemi në gjendje me kall. Jo me luajt me fëmijët tanë”, tha Rexhepi.
Ndërsa, punëtori tjetër, Adnan Sinani kërkoi që politika të mos përzihet në punën e tyre.
“Leni politikën. Nuk po më intereson se ku e kanë inatin, tek drejtori apo tek dikush tjetër . Ne si kemi punuar jemi duke punuar ende dhe do të punojmë. Le ta ndërpresin këtë politikë të fëlliqur”, tha ai.
Rama tha se punëtorët nuk janë fajtorë për situatën e krijuar dhe theksoi se problemi qëndron te menaxhmenti i ndërmarrjes, që sipas tij, nuk ka ditur të menaxhojë proceset.
“Faji nuk është tek ju, as ne nuk i fajësojmë punëtorët. Faji është te menaxhmenti dhe nuk duhet me udhëheq njerëzit, të cilët nuk e dinë procesin. Ne qysh në vitin e kaluar e kemi marrë iniciativën me sjellë edhe kompani private për të ndihmuar pastrimin, sepse kemi parë që ka nevojë prej që kemi sjellë ata qyteti është pastruar, por në asnjë kohë nuk e kemi cenuar kompaninë ‘Pastrimi’.
Qyteti është në rritje e sipër dhe ka nevojë më të mëdha . Punëtorët që nuk e kanë asnjë faj hyjnë në mes të tyre. Jemi për të kryer shërbime ndaj qytetarëve të kryeqytetit. Mua më intereson mirëqenia e shërbimeve ndaj qytetarëve të kryeqytetit. Me u përdor një institucion për përfitime politike të tyre më lënë me bërllok gjithë kryeqytetin kjo është e papranueshme dhe sot dhe asnjëherë nuk do ta lejojmë”, tha Rama.
Përfaqësuesi i Sindikatës së Ndërrmarjes “Pastrimi” kërkoi që të mos dëmtohen punëtorët.
“Ne si klasë punëtorë prej sjelljes së kamionëve dhe kontejnerëve qyteti ka qenë më i pastër. Ne si sindikatë nuk merremi me menaxhmentin, por ju si kryetar duhet të merreni me ta. Nëse nuk e bën punët menaxhmenti duhet edhe të shkarkohet, por mos të dëmtohen punëtorët. Kjo na intereson neve”, tha ai.
Një ditë më parë, kryetari i Prishtinës, Rama, paralajmëroi se nga sot do të zgjidhet problemi i pastrimit të kryeqytetit duke bërë të kuptohet se ka angazhuar kompani private.
“Shpreh mirënjohjen time të thellë për ekipet në terren, që po punojnë ditën dhe natën për të menaxhuar situatën e rënduar me mbeturina.
Falënderoj nga zemra edhe qytetarët për durimin dhe mirëkuptimin e treguar. Ju lusim për durim – ekipet tona do të arrijnë në të gjitha lagjet!
Sabotazhi te qytetarët e Prishtinës nuk kalon!”, shkroi mbrëmë në fb, Rama.