Protestë kundër mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush” në Prishtinë – Organizatorët: Nuk jemi dele

Prishtinë | 07 Jan 2024 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Faqja në rrjetin social Facebook ‘Vrojtuesit e Lagjes – Prishtinë’ që raporton problemet e ndryshme të kryeqytetit, ka bërë thirrje për protestë paqësore për hapjen e rrugës “Xhorxh Bush”.

Rruga “Xhorxh Bush” vazhdon të jetë e mbyllur për autobusë dhe vetura, pas zgjerimit të sheshit deri tek katedralja dhe kjo ka krijuar probleme në trafik dhe kolona të gjata.

“Pas mbylljes së rrugës, kemi përballuar një problem të vazhdueshëm me trafikun dhe kollonat e gjata që kanë shkaktuar ndërprerje në qarkullim. Protesta jonë është e organizuar në mënyrë paqësore dhe e ligjshme për të shprehur nevojën tonë për të hapur këtë rrugë të rëndësishme për qytetarët e lagjes” – thuhet në njoftimin nga ‘Vrojtuesit e Lagjes – Prishtinë’.

Sipas këtij njoftimi, protesta do mbahet më 14 janar, në pikën e mbylljes së rrugës Xhoxh Bush.

“Data e protestës është 14.01.2024, ku pritet të mblidhemi në pikën e mbylljes së rrugës Xhoxh Bush në një shenjë solidariteti dhe thirrje për veprime. Protesta do të fillojë në orën 12:00 dhe do të mbahet në mënyrë paqësore. Ju lutemi të bashkoheni në këtë thirrje për hapjen e rrugës dhe për zgjidhjen e problemit të trafikut që ka prekur komunitetin tonë për një kohë të gjatë” – kanë bërë të ditur ‘Vrojtuesit e Lagjes – Prishtinë’.

Ata kanë publikuar një fotografi, ku shihet kryetari Përparim Rama dhe ka një mbishkrim: “Ne nuk jemi popull dele që pranon të heshtë në prani të sfidave dhe problematikave të kryeqytetit tonë”.

Të ngjashme