Ish-pjesëtarë të UÇK-së të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi’, të cilët kanë vepruar në kuadër të Zonës Operative të Drenicës, kanë protestuar për largimin e veteranëve të rremë nga lista e përfituesve të pensioneve dhe shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.
Faik Zogaj, veteran i zonës operative “Drenica”, tha se kanë tri kërkesa: të pastrohen listat e veteranëve, të lirohet Sylejman Selimi dhe të shkarkohet kryeprokurori Lumezi, raporton Ekonomia Online.
“Kemi 3 kërkesa të cilat kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që në mënyrë sa më të shpejtë të pastrojë listat e veteranëve dhe të bëhet një ligj për veteranët e UÇK-së, jo të ketë manipulues të bëhet një ligj për veteranët. Një ligj që të ketë parimet e veta. Çdo veteran t’i gëzojë të drejtat e veta. 170 euro i merr një veteran i vërtetë dhe të njëjtat i merr edhe një falsifikator”.
Zogaj tha se kërkojnë shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Sipas tij, prokurori Elez Blakaj ka qenë i vetmi prokuror që i ka marrë parasysh kërkesat e tyre, raporton EO.
“Kërkojmë shkarkimin e Lumezit. Blakaj ka qenë i vetmi prokuror që ka marrë parasysh kërkesat tona, ai prokuror ka pasë fakte dhe ndër ato fakte i kemi edhe ne. Falsifikatorët kanë dalë dhe kanë ba falsifikime. Para tre muajsh, Tomë Gashi, i cili ka gjetë shumë argumente që Sylejman Selimi është duke u mbajtur padrejtësisht në burgun e Dubravës. Sylejman Selimi e ka listën e vërtetë të të gjithë veteranëve. Gjithashtu kërkojmë lirimin e komandantit Sylejman Selimit”, tha Zogaj.
“Nëse kryetari nuk na bën zgjidhje brenda 30 ditëve, ne nuk do të ndalemi. Ne kemi luftu për këtë shtet. Fundi fundit le t’u ndalet pensioni të gjithë veteranëve deri në spastrimin e listave”, shtoi ai.
“OVL na kanë thanë nuk keni të drejtë me protestu. Unë jam njeri që kam luftu, jam njeri që i kërkoj të drejtat e mia”, tha ai.
Hazir Çitaku, veteran, tregoi për mënyrën se si mund të dallohen veteranët e rrejshëm nga ata të vërtetit.
“Unë kam qenë në luftën e Kosovës Lindore. UNMIK-u e ka bo regjistrin e të gjithë veteranëve në atë kohë. Gjatë regjistrimit ka qenë çmimi 100 markë për çdo regjistrim. Ndërrimi i TMK-së në FSK-së çdo ushtar e ka marrë vendimin e TMK-së, nuk ka pasë dallavere në ato vendime. Ushtarët e vërtetë i kanë ato vendime të TMK-së. Ushtarët e Maqedonisë janë hy në sistemin e pagave tona. Në rregull, janë hy në listën e luftëtarëve të luftës së Kosovës Lindore. Këtu po përzihen fjalët profiter dhe veteran”, tha Çitaku.
“Mund me dal 1% që janë jashtë Kosovës që nuk e kanë atë vendimin. Nuk ka asnjë institucion, UNMIK-u, KFOR-i që i kanë regjistrat dihen veteranët e vërtetë. Ato lista janë shkruar me laps, jo me kompjuter, me laps janë shkruar. Ju garantoj se dy femna kanë qenë në zonën operative të Llapit, asnjë tjetër nuk ka qenë aktive në uniformë. Në logjistikë le të mirret shtabi çka ka lëshu e çka jo”, shtoi ai.
“Lista, sipas gjeneralit i cili e ka listën që janë 13 mijë veteranë janë jo 36 mijë. Edhe ambasada amerikane ka thanë që rreth 15 mijë veteranë kanë qenë e jo të tjerë që marrin paga në mënyrë të jashtëligjshme”, shtoi Çitaku.
Veterani Reshat Maloku tha se pasluftës për ta marrë statusin e veteranit është dashur të kryhen disa procedura.
Në zonën e Malishevës, sipas Faik Zogajt, ka shumë veteranë të cilët po përfitojnë jashtëligjshëm. Ai tha se është trefishuar numri i veteranëve. Sipas tij, është shkelur ligji me dy këmbë, raporton EO.
“Lista e Sylejman Selimit është valide. Edhe lista e Agim Çekut edhe e KFOR-it janë valide dhe po të shikohen do të arrihet të zbulohet se sa saktësisht janë”, tha Zogaj.
“Asgjë s’kam personale me Lumezin. Thjesht nuk është duke punuar mirë. Unë dëshiroj vetëm të drejtat e veteranit, jo rrogë. Ne kemi luftuar për një shtet të drejtë”, shtoi në fund Zogaj.
Në fund veteranët shkuan në Kuvend pasi që thanë se kanë takim me kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli.
