Legjislatura e gjashtë po vlerësohet ndër më të dobëtat që ka pasur Kosova deri më tani. Për gati dy vjet prejse ka nisur punën ajo është ballafaquar vazhdimisht me mungesë kuorumi, me ç’rast ka dështuar ta përmbushë agjendën legjislative. Monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se ky nuk ka arritur të përmbushë as 20 për qind të planit për këtë vit.
Kurse deputetja e Partisë Socialdemokrate (PSD-së), Shqipe Pantina, ka thënë se legjislatura e gjashtë është shoqëruar me shumë probleme e ngecje në përmbushjen e agjendës legjislative.
Kjo sipas saj për shkak të mospërgjegjësisë së Kryesisë së Kuvendit, si dhe bojkotimit të seancave nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kuvendi ka ngecur në një varg obligimesh, që i ka si institucion. Një varg ligjesh nuk janë miratuar, pavarësisht faktit që kanë kaluar në proces të shqyrtimit nëpër komisione, por nuk janë miratuar në seancë, për shkak të mospjesëmarrjes në votim nga dy subjektet opozitare, LDK dhe LVV”, ka thënë Pantina, duke shtuar se Kuvendi ka dështuar edhe në mbikëqyrjen e ekzekutivit.
“Obligim tjetër, ku unë mendoj se Kuvendi ka dështuar plotësisht, është në monitorimin e ekzekutivit dhe në monitorimin e zbatimit të ligjeve. Kjo ka ndodhur edhe për fajin e kryetarit të Kuvendit dhe të Kryesisë, të cilët nuk kanë thirrur seanca të rregullta, në të cilat do të ishte pikë e rendit të ditës, pyetjet parlamentare dhe deklarimet jashtë rendit të ditës, ku deputetët kërkojnë llogari nga Qeveria. Një pjesë të fajit po e mbajnë edhe partitë opozitare, të cilat kanë thirrur seanca të jashtëzakonshme për çështje që kanë mundur të jenë pika të rendit të ditës të seancave të rregullta”, ka thënë ndër të tjera deputetja e PSD-së.