PSD: Duhet gatishmëri për kompromis nëse synohet për bashkim e unitet

Prishtinë | 09 Tet 2018 | 14:50 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur konferencë për medie në të cilën ka folur nënkryetari i PSD-së, Dukagjin Gorani.

Në këtë konferencë, Gorani foli rreth procesit të dialogut dhe qëndrimit të PSD-së për deklarimet e presidentit Thaçi.

“Presidenti aktual e nxjerri qëllimisht nga konteksti një parim tradicional të bashkësisë ndërkombëtare rreth procesit të dialogut mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Formulimin se ‘bashkësia ndërkombëtare do të pajtohet me cilëndo zgjidhje që është e pranueshme për të dy palët pjesëmarrëse’, Presidenti aktual vendosi ta interpretojë si autorizim për ta nisur një provokim të rëndë publik, të cilin sot e njohim si ‘korrigjimi i kufijve”, tha ai.

“Partia Socialdemokrate e rithekson se pohimet e tilla përbëjnë provokim absurd dhe qëllimkeq. Ato janë të formuluara vetëm për të shkaktuar huti popullore dhe përplasje politike”, shtoi Gorani.

”PSD-ja konsideron se kjo farsë e lodhshme dhe disamuajshe e diskutimeve të kota rreth opsioneve të pamundshme, e ka shpërfaqur përfundimisht atë që dihej dhe pritej: mungesën e fuqisë reale politike dhe publike të akterëve për ta udhëhequr një proces politik”, tha ai.

Gorani tha se presidenti nuk ka as fuqi, as kompetencë për të vendosur në emër të popullit të Kosovës, raporton EO.

“Presidenti i vendit nuk ka as fuqi as kompetencë për të vendosur në emër të popullit të Kosovës, qeveria dhe kryeministri vullnetshëm e përjashtuan veten nga përgjegjësia udhëheqëse në proces të dialogut. Edhe pse në krye të shtetit, ajo sot ndodhet në bisht të procesit të dialogut. Në anën tjetër, edhe pse e madhe në numra, opozita politike në Kuvend vazhdon të jetë e pamjaftueshme për ta rrëzuar këtë qeverisje fragjile dhe të shpërqendruar”, tha ai.

Gorani tha se nuk dihet ende nëse PSD-ja do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Veseli për partitë opozitare. Ai tha se nesër do të merret një vendim për këtë takim nëse do të ndodhë.

Ai tha se duhet debat në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar çështjen e dialogut.

“Duhet patjetër të zgjidhet përmes debatit demokratik në Kuvendin e Republikës. Aty duhet të farkohet platforma e përbashkët negociatore dhe, rrjedhimisht të formohet Ekipi Negociator. Mbi të gjitha, kjo është e mënyra e vetme e mundshme që merr parasysh edhe fuqinë e numrave, edhe mendimet kundërshtuese, edhe urgjencën e përgjegjësive shtetërore. Shkurt, duhet gatishmëri për kompromis nëse synohet për bashkim e unitet”, tha Gorani.

Gorani po ashtu ka përmendur sulmin e djeshëm ndaj dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad të Serbisë dhe për vdekjen e gazetarit, Ibrahim Rexhepi.

Rexhepi tha se sulmi huligan ndaj të rinjve shqiptarë është i shkaktuar nga urrejtja ndëretnike dhe ka alarmuar opinionin publik, raporton Ekonomia Online.

“Sulmi huligan ndaj tyre, i shkaktuar nga urrejtja ndëretnike ka alarmuar dje mbarë opinionin publik – duke e ripërsëritur imazhin e shtetit serb si ambient jotolerant dhe armiqësor ndaj shqiptarëve në këto kohë të ndjeshme”.

“PSD uron shërim të shpejtë dhe kthim të sigurt në shtëpi për Çlirim Malokun dhe shokun e tij nga Hasi i Prizrenit – derisa kërkojmë që Qeveria e Kosovës të shtojë presionin rajonal dhe ndërkombëtar, që autorët e këtij krimi të ndëshkohen në një proces gjyqësor të dokumentueshëm dhe të verifikueshëm”.

Groani ngushëlloi familjen Rexhepi në emër të PSD-së, duke shtuar se vdekja e parakohshme e Ibrahim Rexhepit është humbje e pakthyeshme e një diturie dhe një përvoje të çmuar.

“Partia Socialdemokrate shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe rrethit të gjerë të miqve për humbjen e një bashkëshorti dhe prindi të përkushtuar – të një profesionisti të rrallë. Ibrahim Rexhepi do të kujtohet si ekspert i fushës ekonomike dhe përkrahës i madh i çështjeve sindikale e punëtore, jetësisht i angazhuar në hulumtim, analizim dhe interpretim të problemeve socio-ekonomike të shoqërisë. Vdekja e parakohshme e tij është humbje e pakthyeshme e një diturie dhe një përvoje të çmuar – për të gjithë ne”.

Të ngjashme