PSD i zëvendëson flamujt para MPJD-së me kartëmonedhën 500€ me fytyrën e Berishajt: Zingjiri i shkeljeve mbërrin deri në krye të shtetit

Prishtinë | 16 Jan 2023 | 13:40 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur një aksion para Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, të cilën e ka akuzuar se e ka kapur “flamurin” e mbrojtjes së skandalit të ambasadorit Martin Berishaj, raporton Ekonomia Online.

Ata para Ministrisë së Punëve të jashtme kanë ndërruara flamurët duke vendosur kartëmonedhë me 500 euro me fytyrën e ambasadorit të Kosovës në Kroaci.

Nol Nushi, sekretar organizativ i PSD-së, tha se kurrë në historinë e Kosovë nuk ka ndodhur që të ketë një ambasador të akuzuar për një varg shkeljesh e keqpërdorimesh.

Nushi tha se kanë informacione se Prokuroria tashmë ka ngritur kallëzim penal ndaj Berishajt

Ai shtoi se mos shkarkimi i tij, hedh dyshimet se në këtë skandal mund të jetë të përfshirë edhe krerët e shtetit nga presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.

Nushi pohoi se nuk do të ndalin aksionet deri në shkarkimin e Berishajt.

“Jemi para Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila e ka kapur flamurin e mbrojtjes së skandalit të Martin Berishajt. Kjo ministri nuk e përfaqëson më Kosovën, sepse siç e dini nuk ka asnjë aktivitet për përfaqësimin e Kosovës. Krejt mekanizimi i kësaj ministrie, praktikisht krejt mekanizmat shtetërorë janë vën në kor, në mbrojtje të skandalit Martin Berishaj”.

“Kurrë më parë një skandal i përmasave të këtilla nuk ka ndodhur në diplomacinë e Kosovës”.

“Po flasim për një ambasador që e ka kryer filozofinë, por nga dokumentet që po dalin për çdo ditë, po del se ai është një tregtar i energjisë, me qarkullime milionëshe. Ka tërhequr mjete kesh në Kosovë mbi një milion euro, para të cilat nuk i ka të deklaruara në asnjë institucion në Kosovë. Por nuk i ka të deklaruara as bizneset gjithandej Ballkanit. Pra nga një ministër i Kosovë po shndërrohet në skandal mbarëballkanik”.

Nushi tha se për mafinë e energjisë në rajon është e ditur si vepron, ku janë të përfshirë shumë sekserë e biznesmenë. “Një prej tyre duket se është edhe z. Berisha i cili është zënë në flagrancë duke tregtuar energji me GEN-in, me seli në Beograd, një kompani e anatemuar dikur nga vetë Kurti”.

Sekretari organizativ i PSD-së tha se në fillim dukej e çuditshme, por tashmë e kuptueshme, mbrojtja e pakusht që po i bëhet nga Kurti, Osmani e Gërvalla këtij ambasadori.

“Sot ministrja (Gërvalla) dha deklaratë ku tha se fola me ambasadorin Berishaj dhe gjithçka është në rregull sepse e njoh. Pra një skandal aq të madh ajo e redukton në një koincidencë personale më të duke thënë që i beson atij dhe jo fakteve”.

“Prokuroria me shumë gjasë tashmë ka ngritur kallëzim penal, ende nuk është zyrtare…” Nëse asgjë tjetër nuk vërtetohet, Nushi tha se fshehja e biznesit është e qartë se ka ndodhur.

“Mosshkarkimi i tij edhe mbrojtja e tij e vazhdueshme neve na bënë të besojmë që shiriti i shkeljeve mbërrin deri në krye të shtetit, deri të presidenca, të Kurti dhe te Gërvalla. Ne nuk do t’i lëmë rehat derisa ky shkarkim të ndodhë”, ka theksuar Nushi“.

Të ngjashme