Pse nuk ka mobilizim më të madh në mbrojtje të shtetit?

Prishtinë | 27 Gus 2024 | 21:16 | Nga Milazim Krasniqi

Rritja qesharake e rrogës prej 6.8 euro pak kujt i bën përshtypje. Pse? Sepse grupe të mëdha të njerëzve në Kosovë nuk varen fare prej rrogës. Kjo është edhe arsyeja pse nuk ka as mobilizim më të madh në mbrojtje të shtetit. Më poshtë e kam ilustruar këtë gjendje:

  1. Një numër i madh familjesh varen nga remitancat e familjarëve të tyre nga diaspora. Ata harxhojnë paratë që nuk i fitojnë me punën e vet dhe ndihen rehat. Nuk kanë nevojë për subvencione e grante, ngase tokat i lënë batall, motin e shkojnë në vetura, në kafehane, në syneti, dasma e në të pame.
  2. Një numër i madh biznesesh e njerëzish varen nga informaliteti. Janë po ashtu një miliardë euro, e pakta, që gjenerohen nga informaliteti. Këta tipa fërkojnë duart për aq sa vazhdon kolapsi i shtetit, që të mund të vazh¬dojnë kontrabandën dhe krimin e organizuar.
  3. Punonjësit në institucione shtetërore e publike janë rehat me politikat joefikase të institucioneve, ngase marrin rroga, për një punë që e bëjnë kryesisht shkel e shko. Disa prej tyre i rrisin të ardhurat edhe me korrupsion, realisht pa u trazuar nga institucionet shtetërore. Edhe këta, pra, ndihen rehat me këtë lloj qeverisjeje dhe me këtë lojë shteti.
  4. Disa të tjerë që zhvillojnë biznese legale, por duke qenë të afërt me qeveritarët, fitojnë tenderë dhe favore të shumta. Edhe këta ndihen komod e nuk kanë pse të protestojnë, sepse në atë rast do të protestonin kundër interesave të veta.
  5. Shumë nga të rinjtë e të rejat e diplomuar/a në universitetet publike provinciale dhe në kolegjet private, e dinë si i kanë marrë diplomat dhe nuk kanë as guxim as fytyrë që të organizohen e të protestojnë kundër gjendjes së keqe në shoqëri. Dosjet e favoreve, ose edhe të falsifikimeve të provimeve e të diplomave, e mbajnë peng pakënaqësinë e tyre. Ata më parë arratisen nga vendi, se sa që guxojnë të protestojnë.
  6. Elitat intelektuale, aq sa janë, kanë kalkulimet e veta: shumë prej tyre kanë problem me biografitë dhe prandaj e mbajnë gojën mbyllur. Jo pak të tjerë janë të afërt me partitë politike dhe zhvatin favore për veten dhe për farefisin e tyre, në të katër anët. Kundër kujt duhet të protestojnë këta intelektualë?!
  7. Një grumbull jo i vogël qytetarësh nuk e përjetojnë fare Kosovën si shtet të vetin. Ia injo-roj¬në flamurin, ia injorojnë himnin, ia injorojnë historinë. De¬mek, e konsiderojnë vetëm si një”shtet kalimtar”, një “e keqe e domosdoshme” demek në procesin e bashkimit kombëtar. Rrjedhimisht, nga këta vjen jo pak destruksion politik, rrënim i imazhit të shtetit dhe konflikte politike e sociale.
  8. Një pjesë e shoqërisë civile mirret me tema që financohen nga të huajt, si fjala vjen, problemi i ekstremizmit, minoritetet, problemet e grupeve LGBT, mbrojtja e qenve, etj. Këto kontingjente të shoqërisë civile nuk kanë interes të ndryshojnë gjërat, sepse në atë rast mund t’u ndryshojë statusi dhe t’u thahet kaçepi edhe atyre.
  9. Shumë nga mediet bëjnë zhurmë, por më shumë duke ngritur disa agjenda për hesapet e veta, se sa për ta mbroj¬tur interesin e publikut. Në fakt, vetë mediet janë viktima të mungesës së rregullimeve adekuate të tregut, të konkurrencës dhe të transparencës. Prandaj, për të mbijetuar sillen ngjashëm me aktorët politikë, luftojnë për “tallin” (pjesën) e vet si të munden.
    Kush po mbetet i pakënaqur? Mbetet fukaraja. Fukaraja, që është i pagojë, i pafuqishëm, i padijshëm dhe i pambrojtur. Për fukaranë tashmë janë hapur rrugët e arra¬tis¬jes, ashtu që problemi po shkon drejt “zgjidhjes”. Prandaj nuk ka kush reagon, nuk ka kush bën ndryshime. Natyrisht, në të gjitha grupet që u numëruan, ka idealistë, njerëz të ndershëm, atdhetarë të devotshëm. Por, në të gjitha gru¬pet, ata janë pakicë. Prandaj nuk arrijnë të bëjnë masën kri¬ti¬ke për të ndryshuar gjendjen. Kjo pakicë zaten e bën gjithë këtë zhurmë, në të gjitha grupet. Zhurma u merret si e mirë¬qenë, bile shikohet me simpati, por injorohet nga shu¬mi¬ca, e cila pa bërë aspak zhurmë, ia imponon vullnetin e saj kësaj shoqërie të deprimuar dhe këtij shteti të pakon¬so¬liduar, duke i mbajtur me planifikim në gjendje dialize.

Të ngjashme