Ngjashmëritë me bisedat e përgjuara telefonike të Adem Grabovcit me të tjerët, i gjen tek lidershipi i secilës parti politike në Kosovë, të madhe a të vogël. Dallimi i vetëm është se ato tani po bëhen publike, e të tjerat jo.
“Është e çuditshme por është e vërtetë, sepse e vërteta është gjithnjë e çuditshme”. Po e filloj shkrimin me këtë citat të Bajronit, e i cili më së miri reflekton në vazhdimin e publikimeve të përgjimeve të telefonit të shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci me lidershipin dhe bashkëpunëtorë tjerë. E vërteta, vërtet është e çuditshme për faktin se si bisedat private aq lehtë dhe pa pëlqim të personazhit kryesor bëhen publike. A thua në këtë vendin tonë ku mbeti e drejta e privatësisë?
E vërteta në këtë rast është e çuditshme mbase edhe për një fakt tjetër, i cili është tërësisht i vërtetë se biseda të tilla të ngjashme i gjen tek lidershipi i secilës parti politike në Kosovë, të madhe a të vogël. Dallimi i vetëm është se në rastin e parë po bëhen publike, gjersa për lidershipin e partive tjera jo. Mbase në një kohë tjetër edhe ata do t’i dëgjojmë dhe vërejmë se komunikimi është i ngjashëm. Është e vërtetë e mbase edhe e ligjshme që një lidership i një partie të komunikoj mes vete për politikën kadrovike dhe për njerëzit me të cilët mendon t’i realizoj qëllimet politike.
Ky fakt ka qenë i njohur kaherë në jetën politike në Kosovë dhe është prezent tek të gjitha partitë politike, pa marrë parasysh se cilin nivel të qeverisjes e kanë. Ngjashëm është edhe tek partitë politike të regjionit, Europës dhe më gjerë. Gjersa votohet në Kuvendin e Republikës për kandidatë të caktuar për të ushtruar funksion politik, gjithnjë do të ketë biseda e lobime për dikë e që është veprim tërësisht normal në demokraci. Të zgjedhurit gjithsesi se nuk pikin nga qielli. Po frikohem se të përzgjedhurit nuk janë fryt i meritokracisë në subjektet e tyre, por zgjidhen si vullnete të caktuara të individëve që nuk përfaqësojnë ndonjë vullnet elektoral të qëndrueshëm.
Si u mbush komuna e Prishtinës me militantë të Vetëvendosjes
Punësimi në sektorin publik bëhet gjithsesi me referenca të caktuara ndikuese dhe kjo është e vërtetë e ditur. LDK-ja atje ku ka mundësi, përmes listave punëson. Lidershipi i kësaj partie selekton, AAK-ja dikur sa ishte pjesë e Qeverisë e bënte të njëjtën gjë, gjersa tani këtë fenomen e shpreh në pushtetet lokale me të cilat qeverisë. Të njëjtën gjë e bënë edhe Nisma, gjersa më e theksuar kjo dukuri është tek Lëvizja Vetëvendosje dhe qeverisja me Prishtinën. Në komunën e Prishtinës dhe me shërbyesit civil të saj të rinjë të rekrutuar, vendosin lidershipi i Vetëvendosjes dhe atë në formën më të egër të mundshme.
Edhe ky lidership komunikon mes vete qoftë përmes formës direkte apo telefonike se kush duhet të punësohet e kush eliminohet. Është e vërtetë e pamohueshme se administrata e Prishtinës është stërmbushur me militantë të Vetëvendosjes nga e gjithë Kosova. Janë suspenduar mbi 100 shërbyes civil, të cilët nuk i përkisnin kësaj partie nga një komision disiplinor, ku kryetari ishte një militant partie rishtas i pranuar në punë me një kontratë mbi vepër, e që përbënë shkelje ligjore dhe të gjithë janë zëvendësuar me aktivistë të kësaj partie. Kujtojmë përpjekjet maksimale të deputetës së kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, për ta sistemuar burrin e saj në bordin e një ndërmarrje publike, e shumë e shumë raste tjera.
“Të gjithë të njëjtë janë” dhe reflektimi politik
Ka vite në Kosovë dëgjohen ankesat për ngopje të qytetarëve nga politika, gjersa arsyeja mandej të jetë se këta qytetarë presin apo kanë pritur më shumë nga ajo që realisht është në gjendje të ofroj politika kosovare. Faktit të ngopjes së qytetarëve me politikën dhe pasivizimi i tyre vjen më së tepërmi nga shikimi vetëm bardh e zi i gjërave, gjersa politika ka edhe ngjyrimet tjera. Partitë, grupimet politike e në veçanti opinionbërësit, pra edhe mediet duke shikuar kësisoj varësisht nga pozicioni që kanë janë kontribuesit më të mëdhenj të krijimit të kësaj gjendje ku qytetari braktisë politikën me arsyetimin “Të gjithë të njëjtë janë”.
Perceptimit qytetar se në Kosovë lulëzon korrupsioni, kontrabanda e kriminaliteti është i ushqyer po nga ky shikim i gjërave duke ia adresuar politikës gjendjen e krijuar si fajtor. Thirrjet e britmat e grupimeve politike e opinionbërëse se korrupsioni në Kosovë buron dhe gjen strehën tek politika mendoj të jetë strategji e gabuar e veprimit politik pa dhënë far alternative të re e cila për pasojë ka së pari dëmtimin në masë të imazhit të Kosovës dhe rritjes së mosbesimit qytetar me vet politikën.