Publikohet lista e dytë e avokatëve të akredituar për Gjykatën Speciale

Prishtinë | 11 Maj 2018 | 13:14 | Nga

Dhomat e Specializuara të Kosovës, e njohur si Gjykata Speciale ka shtuar emrat e mbrojtësve, krahas mbrojtësve që ishin pranuar më parë.

Këta avokatë do të kenë mundësinë të zgjidhen për t’u paraqitur para Gjykatës për të përfaqësuar të dyshuarit, të akuzuari, viktimat, apo çdo person tjetër që ka të drejtën e përfaqësimit ligjor.

Listat e publikuara përmbajnë emrat e 87 profesionistëve të fushës së drejtësisë nga Kosova, Serbia, dhe një numër vendesh të tjera.
Mbrojtësit sipas një njoftimi të Gjykatës Speciale mund të zgjedhin nëse duan që emrat e tyre të përmenden në faqen e internetit të DHSK-së.

Bëhet e ditur se ky është raundi i dytë i njoftimeve, pas Listave të shpallura më 14 mars 2017.

Me këtë rast, Kryetarja e DHSK-së, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, ka përgëzuar të gjithë kandidatët dhe kandidatet dhe thekson mesazhin e saj se kriteret e rrepta për pranim në këto lista janë garanci që të pandehurit dhe viktimat do të kenë mundësinë të përfaqësohen në mënyrë profesionale dhe efektive para DHSK-së, çka do të kontribuojë më tej për forcimin e integritetit të administrimit të drejtësisë nga ana e Dhomave të Specializuara.

Që nga nëntori 2017 kur ka filluar ky proces, thuhet se Zyra e Mbrojtjes dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave kanë marrë kërkesa të shumta për pranime në lista.

Tutje, bëhet e ditur se shqyrtimi i kërkesave dhe procesi i pranimit të mbrojtësve vazhdon.

Si rrjedhojë, këto Lista të Mbrojtësve do të përditësohen vazhdimisht dhe në to do të pranohen edhe kandidatë të tjerë ndërkohë që vazhdon procesi i shqyrtimit të kandidaturave të tyre. Pra, procesi do të mbetet i hapur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme