Copëza nga Festivali i Këngës 62 në RTSH, por më së shumti komentet e gazetarëve edhe artistëve i ndoqa në media edhe rrjete sociale.
Sot dëgjova 3 performancat më të përfolura, këngën fituese, këngën e Besa Kokëdhimës, edhe këngën fantastike por në vendin e gabuar edhe publikun e gabuar të Elsa Lilës !
Publikut të Sariles edhe “Të Hengsha Zemrën”, i cili ka një pasion të veçantë për gjinjtë e silikonit, edhe fytyrat e botoksit publikut të VIP-ave të BB edhe atyre të Përputhen, gabimisht iu ofrua një performacë si ajo e Elsa Lilës !
Një performancë e shkëlqyer në skenën e gabuar, për publikun e gabuar, ku edhe artistët ngatërrojnë gjykimin për artin me gjykimin e artistit njeri!
Për një publik ku mesatarja e njerëzve shikon televizor rreth 5.5 orë në ditë, nuk lexon libra, shkon shumë pak në teatër performanca e Lilës ishte e papërshtatshme.
Kur vlerëson një publik ku artisti /artistja është vetëm një objekt, që të pëlqehesh duhet të jesh një grua e zhveshur ose një burrë me fustanellë. Çdo veshje elegante e thjeshtë është e mërzitshme, e përsëritur, thjesht e gabuar.
Ne jemi të qartë edhe i kemi bërë zgjedhjet tona, duam tallava, gjinj, të ndenjura të rrumbullakosura, buzë të fryra, artistë të sheqerosur me 10 fjalë në fjalor, edhe Elsa Lila e ka gabim që kërkon vlerësimin tonë .
Arthur Schopenhauer thoshte: “Po kërkove të ndryshosh shoqërinë, je me fat nëse shpëton gjallë!” (Irena Beqiraj)