“Punësimi i të rinjve dhe ofrimi i mundësisë për realizimin e perspektivës së tyre, rikthimin e namit të Pejës si qytet turistik dhe tërheqës për punë dhe me të ardhme, është prioritet imi”, theksoi Dr. Dabiha Shala, në takim njohës me disa biznese në qytetin e Pejës.
Kandidatja për kryetare të Komunës së Pejës nga radhët e PDK-së, Sabiha Shala, në kuadër të agjendës njohëse me strukturat e caktuara dhe grupet e interesit në Pejë, ka vazhduar aktivitet e saj duke takuar përfaqësues të bizneseve.
“Peja ishte qytet me prodhime industriale dhe punësim të lartë në nivel vendi. Ishte qytet tërheqës për jetë dhe punë. Me turizëm përfaqësues, por edhe me prodhime bujqësore dhe blegtorale, Pejën e kanë bërë të njohur në vend e më gjerë. Këto fakte nuk do të jenë tregime për një të shkuar të largët”, theksoi Shala.
Ajo ka shtuar se punësimi i të rinjve dhe ofrimi i mundësisë për realizimin e perspektivës së tyre, rikthimin e namit të Pejës si qytet universitar, turistik dhe tërheqës për punë dhe me të ardhme, është prioritet i saj për mandatin e ardhshëm në krye të komunës.
Në takime, Dr. Sabiha Shala ka diskutuar me biznesmenët rreth ecurisë së të bërit biznes dhe raportin e komunës përball motivimit të tyre për të shtuar prodhimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Po ashtu, ajo u interesua për taksat komunale dhe subvencionimet e mundshme për ndërmarrjet e vogla dhe krijimin e bizneseve familjare, me theks të veçantë, gratë në biznes.
Takimet me pjesëtarët e Shoqërisë civile ishin takime po ashtu me interes, vlerësoi Dr. Sabiha Shala, sepse, bashkëpunimi me to, fuqizon klimën e mirëbesimit, angazhimit konstruktiv dhe avancimit të agjendave zhvillimore, që në fokus kanë problematikën e të rinjve, punësimin e tyre dhe angazhimin për realizimin e perspektivës së tyre.
Takimet e tilla njohëse, Dr. Sabiha Shala do t’i zhvillojë edhe ditëve në vijim, me qëllim të njohjes nga afër me problemet dhe sfidat e sektorëve të veçantë në komunën e Pejës, me qëllim të ofrimit të platformës gjithëpërfshirëse zhvillimore për Pejën, në mandatin e ardhshëm.