Punëtorët e arsimit nga komuna e Vitisë nesër do të mbajnë protestë, për mos daljen e pagave për muajin shtator.
Kështu bëri të ditur Rrahman Jasharaj, kryetari i SBASHK-ut, i cili njoftoi se protesta do të mbahet në ora 11:00.
“Dje isha për vizitë në komunën e Vitisë, ku bashkë edhe me shoqatat e tjera sindikale u takuam edhe me kryetarin Sokol Haliti, i cili dukej i shqetësuar lidhur me gjendjen. Pas diskutimeve ramë dakord që t’i japim kohë edhe sot institucioneve përkatëse për zgjidhjen e kësaj çështje. Derisa nesër nga ora 11:00 parashihet që të mbahet një protestë para Qeverisë nga punëtorët e sektorit të arsimit në Vitisë”, tha Jasharaj.
Po ashtu ai bëri thirrje Qeverisë që të bëhet zgjidhje për këta punëtorë, duke shtuar se në të kundërtën do të fillohet me greva.
“Pavarësisht gjendjes buxhetore të Vitisë unë iu bëj thirrje që të gjendet zgjidhje në të kundërtën nga e hëna kam frikë se do të shkohet me masa sindikale siç është greva, ku pritet që edhe punëtorët e arsimit nga rajonet e tjera të solidarizohen me kolegët e tyre, me format dhe mundësitë që kanë”, shtoi ai.