Punëtorët e Kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” nisën grevën para ndërtesës së Komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Ka disa ditë që ndërmarrja “Pastrimi” nuk po i grumbullon mbeturinat dhe sipas kësaj ndërmarrjeje është e detyruar ta ndërpresë shërbimin, për shkak të mospagesës së borxhit prej 2.7 milionë eurosh nga Komuna.
Faruk Deçani, një grevist, tha se kërkesa tona janë rrogat dhe kushtet më të mira.
“Menaxhimi me qenë i mirë, të kemi naftë. Sot jemi thes i shterrur. Jemi lodhur. Jemi në shërbim. Pikë së pari: pastërtia është shëndeti dhe kur nuk ka pastërti nuk ka as shëndet”, tha ai.
Një punëtor që tha se punon rreth 30 vjet në ndërmarrjen “Pastrimi” shprehu habi se si nuk po mund të takohen përgjegjësit e Komunës së Prishtinës dhe dy përgjegjës të Ndërmarrjes “Pastrimi” për kapërcimin e situatës së krijuar.
“Ne jemi në krizë, në agoni. Këtë të gjithë e shohin.
Vërejtja është se kryetari i Komunës dhe drejtori i Shërbimeve Publike, që janë aksionarë tanë si dhe kryeshefi i Ndërmarjes ‘Pastrimi’ dhe kryesuesi i Bordit të ndërmarrjes sonë, pse këta katër persona nuk nuk mund të takohen.
Urdhëroni, takohuni ju katër persona se nuk jeni armiq. Jeni shqiptaeë si të gjithë ne “, tha ai.
Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Shkëmb Manaj, tha se nuk është problem takimi i
këtyre katër zyrtarëve të Komunës dhe Ndërmarrjes “Pastrimi”.
“Me rëndësi është që Komuna të ndërmarrë veprimet e saj dhe menaxhmenti i kompanisë verpimet e veta. Këto procese nuk guxojnë të politizohen. Bashkë jemi në funksion të qytetarëve”, tha Manaj.
Komuna ka mohuar borxhin ndaj ndërmarrjes Pastërtia dhe ka akuzuar ndërmarrjen për sabotazh.
Ndërkohë, kryeqyteti është mbushur bërllok dhe është alarmuar për rreziqe shëndetësore, ndërsa Prokuroria është aktivizuar për të grumbulluar informata për situatën.
Më parë, në njoftimin e Shoqatës Sindikale të “Pastrimit” për grevën thuhej se qëllimi i saj është
shprehja e pakënaqësisë dhe kërkesës për zgjidhje emergjente ndaj situatës së rëndë financiare ku
është futur ndërmarrja, “si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga Komuna”.
“Formati i tubimit: Pjesëmarrës: rreth 300 punëtorë dhe të punësuar të KRM “Pastrimi”;
Vendndodhja: përreth objektit të Komunës së Prishtinës, me qëndrim të vazhdueshëm; Do të përdoren rreth 20 kamionë, të cilët do të parkohen në mënyrë të rregullt dhe pa bllokuar rrugët emergjente;
Greva do të jetë paqësore, pa ndërhyrje në veprimtarinë e organeve publike, dhe në koordinim me autoritetet policore”, thuhej në njoftim.