Punëtorët shëndetësorë të enjten në grevë, Rrahmani thotë s’ka arsye

Prishtinë | 24 Pri 2017 | 13:58 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Punëtorët shëndetësorë kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme 24 orësh në tërë vendin, e cila do të mbahet të enjten më 27 prill.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, (FSSHK) Blerim Syla në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se pas dështimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë për të përmbushur kërkesat e punëtorëve shëndetësorë, janë detyruar të ndërmarrin hapa, siç i quajti ai “të dhimbshëm por të domosdoshëm”.

“Përmirësimi i kushteve të punës, rritja e pagave në formë të rritjes ekonomike që e kanë proklamua rritjen e pagave, respektivisht punëtorin shëndetësor, mjekun dhe specialistin e diskreton në masën më të madhe të mundshme. Për të gjitha këtë ne kemi pasur një takim me ministrin i cili ka mundur me lëviz vetëm për rrezikshmëri dhe disa kërkesa tjera, ndërsa për rritje të pagës dhe për këto sa i përket buxhetit nuk ka mundur të bëjë asgjë”, ka thënë ai.

Kryesindikalisti i punëtorëve shëndetësorë, ka thënë se gjatë kohës së mbajtjes së grevës shërbimet do t’i ofrojnë vetëm qendrat emergjente.

Ai ka thënë se nëse kërkesat e tyre nuk përmbushen do të ndërmarrin edhe hapa tjerë sindikalë duke mos përjashtuar as protestat dhe vazhdimin e grevave të përgjithshme.

“Greva do të ndodhë të enjten 24 orë. Do të punojnë të gjitha shërbimet vitale që i quajmë ne shërbimet emergjente dhe të cilat janë të përcaktuara me ligj. Kjo formë proteste do të zgjas 24 orë deri në ditën e premte dhe prapë do të presim nëse do të reflekton qeveria ose jo. Nëse nuk reflekton, do të mblidhet Këshilli Drejtues. Unë edhe njëherë po them se do të merret një vendim i cili nuk do të jetë i mirëpritur as për pacientin pikë së pari, as për Qeverinë, por as për ne”, ka thënë ai.

Por ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani nuk i ka marr seriozisht “kërcënimet” e sindikalistëve.

Ai për Ekonomia Online madje thotë se nuk ka arsye për protesta e as për greva, ngase ligji për pagat tashmë është tërheqë nga Qeveria dhe se janë në bisedime me kryeministrin Mustafa për rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë.

“Nuk  ka arsye as për të shkuar në protesta e as në  grevë. Ligji për pagat është tërheq dhe përgjigjja e jonë si Ministri e Shëndetësisë, ndërsa 15 për qind e rritjes së pagës si kërkesë duhet të trajtohet në nivel shtetëror dhe duhet që Qeveria me partnerët e vet ta diskuton ngritjen e pagave për të gjitha profilet të punëtorëve shëndetësorë”, ka thënë Rrahmani.

Punëtorët shëndetësorë muajin e kaluar mbajtën një protestë paralajmëruese, duke shprehur pakënaqësitë e tyre për mospërmbushjen e kërkesave nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria.

Kërkesat e tyre ishin, rritje të pagave, ligj të dinjitetshëm dhe punësim të kuadrit të ri.

Të ngjashme