Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat te Kosovës (SPSPK), në një konferencë për medie, ka njoftuar se që nga e hëna të gjithë punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik nëpër qendrat spitalore do të protestojnë nga 2 orë, duke mos ofruar asnjë shërbim, raporton Ekonomia Online.
Protesta do mbahet nga ora 10 deri në 12. Kjo protestë vjen pas diskriminimit që iu është bërë nga shteti, shprehen sindikalistët.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, tha se ky vendim iu është imponuar.
“Me prezencën e kryetarëve të shoqatave të punëtorëve teknikë dhe atyre të sigurimit, u mor një vendim që neve na është imponuar për shkak të diskriminimit të punëtorëve. Që nga e hëna do të fillohet me protestë dyorëshe, nga 10-12 në të gjitha spitalet dhe Qendrat e Mjekësisë dhe Ambulantat. Nuk do të kryejmë asnjë shërbim. Iu qoftë për marre atyre që na diskriminuan, ashtu siç bënë edhe gjatë viteve 1990-të”.
Ai ka thënë se nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen, atëherë do të hyjnë në grevë.
“Nga java e dytë nëse s’përmbushen të drejtat tona, ne do të jemi në grevë. Na vjen keq për pacientët. Mbi 30 për qind e punëtorëve i kemi njerëz të prekur me Covid-19 dhe shteti nuk i ndihmoi, por i sanksionoi. Nuk ka më lutje, por vetëm hapa konkretë. Kemi të drejtën tonë ligjore që të futemi ne grevë dhe ta kryejmë të drejtën tonë”, tha Azemi.