Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa deri më tani ka pranuar 10 ankesa për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 11 qershor të këtij viti. Këtë e ka bërë të ditur Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-it.
“Një ankesë ka të bëjë me regjistrimin e një partie politike, dy ankesa kanë të bëjnë vendimin e KQZ-së për emërimin e anëtarëve te Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ-ve) në Komunën e Prizrenit dhe në komunat Gjilan, Lipjan dhe Vushtrri. Në komunën e Prizreni ka parashtruar ankesë subjekti PDAK, ndërsa për komunat Gjilan Vushtrri dhe Lipjan ka parashtruar ankesa subjekti politik PDS (Progresivna Demikratska Stranka)”, thuhet në përgjigjen e Deskut.
Sipas PZAP-it, dy ankesa janë parashtruar ndaj vendimit të KQZ-së nga subjekti politik KTAP (Kosovo Turk Adalet Patrisi), së cilës parti nuk i është lejuar që një kandidat të jetë pjesë e listës së kandidatëve të partisë me pretendimet se kandidati është shqiptar.
Ndërsa, një ankesë është parashtruar ndaj vendimit të KQZ-së nga subjekti politik BSDAK (Bosnjacka Stranke Demokratske Akcije Kosova), të cilës parti nuk i janë lejuar dhjetë kandidatë të jenë pjesë e listës së kandidatëve të kësaj partie me pretendimet se kandidatët janë shqiptar.
“Katër ankesa janë parashtruar nga kandidatë të partive serbe të cilët kërkojnë tërheqjen nga lista e kandidatëve. Prej tyre tre ankesa janë vendosur ndërsa tjerat janë në procedurë të shqyrtimit dhe të vendosjes së tyre”, thuhet në përgjigjen e sekretarit të PZAP-it.
Desku gjithashtu ka deklaruar për AktivPress se në këtë panel nuk është dorëzuar ndonjë ankesë nga subjektet politike që i referohet anulimit të debatit kandidatëve për kryeministër nga koalicionet ndërmjet PDK-AAK-NISMA, LDK-AKR dhe Lëvizjes Vetëvendosje.