Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka vlerësuar se Kosova ka arritur të ndërtojë një demokraci që u reziston krizave, por ka theksuar se mungesa e institucioneve funksionale gjatë vitit 2025, veçanërisht e Kuvendit, ka prodhuar pasoja serioze për mbikëqyrjen demokratike, nxjerrjen e ligjeve dhe jetën e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Qelaj në një intervistë për Ekonomia Online ka veçuar si shqetësim madhor sektorin e shëndetësisë, duke theksuar se për më shumë se një dekadë Kosova nuk ka arritur ta zbatojë Ligjin për Sigurime Shëndetësore, çka po i detyron qytetarët të përballojnë kosto të rënda financiare për trajtim mjekësor.
Qelaj tha se vendi është përballur njëkohësisht me krizë të brendshme institucionale dhe presione të jashtme, duke nënvizuar se mungesa e një parlamenti funksional që nga fillimi i vitit ka cenuar një nga shtyllat kryesore të demokracisë.
“E para, mendoj se Kosova ka ndërtuar një demokraci të tillë që i reziston edhe, si të themi, situatave të krizave me të cilat po ballafaqohet shteti dhe shoqëria. Mendoj se kjo është e mirë, sepse duke u sfiduar me situata jo të zakonta, ne po tregojmë që megjithatë kemi ndërtuar një sistem që i qëndron jo vetëm krizave të brendshme, por edhe krizave të jashtme, sepse Kosova këtë vit është ballafaquar me të dyja krizat. E para, vendore, për shkak se nga fillimi i vitit nuk kemi parlament funksional dhe, si mungesë e parlamentit, nuk ka mbikëqyrje parlamentare, gjë që është segmenti më i rëndësishëm i demokracisë që e kemi ndërtuar”, tha ai.
Qelaj theksoi se si pasojë e kësaj situate kanë mbetur të bllokuara ligje të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, ndërsa qeveria në detyrë nuk ka pasur gjithmonë mundësi për vendimmarrje afatgjatë.
“Kemi mungesë të nxjerrjes së ligjeve të reja dhe të ndryshimit-plotësimit të ligjeve aktuale, që është tepër e rëndësishme. Ta zëmë, na kanë mbetur në proces Ligji i Punës, që është tepër jetik, Ligji për Shëndetin Publik, Ligji për Shëndetin Mendor, si dhe ligje të tjera të shumta që do të ndikonin drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Kjo krizë është e brendshme dhe jo vetëm në aspektin e mbikëqyrjes parlamentare, por edhe te roli apo puna që e ka bërë ekzekutivi, sepse duke qenë qeveri në detyrë, jo gjithmonë ka arritur të marrë vendime apo të ketë planifikim afatgjatë për t’i çuar përpara proceset e nisura më herët. Tash, në fund, po ballafaqohemi edhe me presionin nëse do të kemi buxhet të qëndrueshëm për vitin 2026 apo jo. Krejt këto, natyrisht, kanë ndikuar”, tha ai.
Duke folur për kontekstin ndërkombëtar, Qelaj tha se ndryshimi i prioriteteve globale, me fokus te siguria dhe ushtria, ka ndikuar negativisht në sektorë të tjerë, përfshirë shoqërinë civile dhe investimet sociale.
“Ndërsa presioni ndërkombëtar ndoshta vjen për shkak të krizës globale, ndryshimit të qasjes në agjendat e shteteve, ku nuk janë më prioritet çështje që kanë qenë në të kaluarën, si të drejtat e njeriut dhe spektrat e tjerë socialë. Sot prioriteti është vendosur te siguria, te fuqizimi i ushtrisë dhe te investimet në siguri. Natyrisht, tërheqja e investimeve amerikane në këtë sektor ka ndikuar që sektori i shoqërisë civile të goditet rëndë dhe mund të them se po mbijetojnë me shumë vështirësi. Në anën tjetër, kanë qenë bllokada të shumta që i janë bërë Kosovës edhe me fonde të tjera, më pas masat që, fatmirësisht, kohëve të fundit u hoqën. Shpresoj që të mos vendosen kurrë më, por besoj se padrejtësisht e kanë goditur qytetarin e Kosovës. Mendoj që kjo duhet të jetë edhe një vërejtje për Bashkësinë Ndërkombëtare, sepse jo çdoherë masat ndaj shteteve godasin qeveritë; ato në radhë të parë i godasin qytetarët. Kjo u pa në shembullin e Kosovës, por shpresoj që me heqjen e masave të fillojë të zhvillohet procesi normalisht dhe të vazhdojnë projektet dhe programet ku ka pasur investime ndërkombëtare, për të filluar zbatimin e tyre”, tha ai.
Sa i përket sistemit të drejtësisë, Avokati i Popullit e cilësoi si problem serioz moszgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe mungesën e komunikimit ndërinstitucional, që sipas tij ka prodhuar pasiguri juridike dhe rënie të besimit të qytetarëve.
“Përndryshe, ka qenë vit sfidues. Në aspektin e sistemit tonë të drejtësisë, besoj se ka pasur shumë sfida këtë vit. E para, moszgjedhja e kryeprokurorit të shtetit, mendoj se është një problem i madh. Nuk dua të hy në analiza apo vlerësime se kush e ka fajin, por mendoj se ka pasur mungesë komunikimi. Komunikimi ndërmjet institucioneve duhet të jetë diçka bazike, pa të cilën nuk mund të zhvillohet asnjë aktivitet përpara. Në mungesë të komunikimit, ka pasur keqkuptime dhe deklarata që, në vend se ta zgjidhin problemin, e kanë thelluar edhe më tej, kanë krijuar shqetësim publik dhe pasiguri juridike te qytetarët. Sot, besoj, më shumë se kurrë, qytetarët kanë rënie të besimit në raport me organet, në këtë rast me Prokurorinë e Shtetit. Shpresoj që kjo situatë të tejkalohet, sepse edhe situatat e fundit të krijuara me ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit i kanë shpërfaqur problemet që i ka vetë sistemi i Këshillit Prokurorial. Është mirë të reflektohet, të merren masa që të mos përsëriten situata të njëjta dhe të respektohet parimi i ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit”, tha ai.
Ndërkohë, për sistemin gjyqësor, Qelaj vlerësoi se ka pasur përmirësime, por zvarritja e procedurave mbetet problemi kryesor.
“Sa i përket sistemit gjyqësor, mund të them se ka pasur një përmirësim të ndjeshëm, por që nuk është vërejtur shumë te problemi kryesor që e kanë qytetarët e Kosovës, e që ka të bëjë me zvarritjen e procedurave gjyqësore. Ne kemi pranuar kërkesa të shumta dhe edhe sot pranojmë ankesa për raste që janë adresuar para 5-6 vitesh dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Dua të theksoj se edhe gjykatat, edhe prokuroria janë korrekte në komunikim me ne dhe na kthejnë përgjigje, mirëpo shpesh këto përgjigje nuk na japin të dhëna të mjaftueshme që situata po tejkalohet ose po zgjidhet. Kryesisht janë përgjigje se procedura është në radhë dhe se do t’i vijë radha për zgjidhje. Fatkeqësisht, ne po detyrohemi të dalim me raporte që tregojnë shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, për shkak të zvarritjes së procedurave gjyqësore. Ne kemi vazhduar të pranojmë ankesa të shumta dhe edhe sot pranojmë ankesa për raste që janë adresuar para 5-6 vitesh dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim”, tha ai.
Qelaj ka thënë se mungesa e sigurimeve shëndetësore dhe e barnave nga lista esenciale po i shtyn qytetarët drejt kredive, madje edhe shitjes së pasurive, ndërsa kjo situatë paraqet një barrë serioze për qeverinë në vitin që vjen.
“Sa i përket sektorit të shëndetësisë publike dhe pjesës sociale, kemi pranuar shumë ankesa këtë vit dhe kemi parë se problemet vazhdojnë. Sidomos mungesa e barnave nga lista esenciale, mos-përfshirja e disa medikamenteve të domosdoshme që janë pjesë e terapive të përshkruara nga mjekët në këtë listë, i vendos qytetarët në vështirësi tepër të mëdha. Kam parë raste kur shumat që kërkohen për të mbuluar këto shpenzime mjekësore i detyrojnë qytetarët të hyjnë në kredi, madje edhe të shesin pasuri të paluajtshme, dhe prapë nuk arrijnë t’i përmbushin këto kosto. Mendoj se një situatë të rëndë në këtë sektor e bën fakti që për më shumë se 10 vjet Kosova nuk ka arritur ta zbatojë Ligjin për Sigurime Shëndetësore. Mendoj se kjo do të jetë një barrë për qeverinë në vitin që vjen”, tha ai.
Qelaj ka theksuar se mungesa e vullnetit për ndërtimin e sistemit të informimit shëndetësor ka mbajtur të pazbatueshëm Ligjin për Sigurime Shëndetësore, ndërsa vonesat po rrisin dyshimet dhe pakënaqësinë e qytetarëve ndaj institucioneve.
“Mungesa e vullnetit për ndërtimin e sistemit të informimit shëndetësor ka ndikuar që ky ligj të mbetet i pazbatueshëm. Derisa ky sistem të ndërtohet, ligji do të vazhdojë të mbetet i pazbatuar. Ne duhet të kërkojmë përgjegjësi nga institucionet se pse nuk po ndodh kjo, sepse sa më shumë që zgjatet, aq më shumë shtohen dyshimet për mungesë vullneti apo qëllime të tjera. Nuk do të doja të hyja në spekulime, por shpeshherë këto dyshime thuhen edhe publikisht, se mund të jenë të lidhura me grupe të interesit”, tha ai.
