Të rinjtë e moshës 14 deri në 20 vjeç morën pjesë në punëtorinë një-ditore me temë Ri-imagjinimi i Trashëgimisë Kulturore që u mbajt në ish – ndërtesën e komunës e cila është transformuar në Qendrën e parë Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Ballkan.
Punëtoria që u zhvillua në kuadër të projektit Ndërtimi i Besueshmërisë nëpërmjet Mbrojtjes Kulturore në Kosovë të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian Kosovë dhe implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, u mundësoi pjesëmarrësve të mësojnë për rëndësinë e trashëgimisë kulturore, si dhe për gjendjen aktuale të objekteve të trashëgimisë kulturore në Prizren dhe qytetet tjera në Kosovë.
Punëtoria përfshiu një prezantim nga përfaqësuesi i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij në Kosovë, dega në Prizren, Enes Toska. Ai u përqendrua në rëndësinë e ngritjes së vetëdijes publike.
Toska tha se OJQ-të në Prizren janë duke punuar në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe ngritjen e vetëdijes përmes organizimit të aktiviteteve të ndryshme duke përfshirë udhëtime me shoqërues duke ngarë biçikleta në vende të zgjedhura të trashëgimisë kulturore.
Edon Mullafetahu nga “EC Ma Ndryshe” u përqendrua në sfidat për konzervimin e gjendjes fizike të objekteve të trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit. “Sigurisht që shpresojmë. Është me rëndësi që ka OJQ të afta që punojnë intenzivisht në menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Deri tani ne kemi përgatitur plane afatshkurtra dhe afatgjata të cilat në përgjithësi përqëndrohen në mbrojtjen dhe ruajtjen jo vetëm të monumenteve por të të gjitha vendeve në rajonin e Prizrenit,” theksoi Mullafetahu.
Në fund u mbajt një kuiz ku pjesëmarrësit testuan rezultatet e mësimit në punëtori.
Projekti Ndërtimi i Besueshmërisë nëpërmjet Mbrojtjes Kulturore në Kosovë (CBCPK) përqendrohet në rinovimin, zbukurimin dhe rehabilitimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë, duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe Njësinë për Siguri të ndërtesave dhe të Trashëgimisë Kulturore pranë Policisë së Kosovës. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në përmirësimin e tolerancës ndëretnike dhe respektin ndaj identitetit kulturor dhe të trashëgimisë.