Kjo Qeveri, që i thotë vetes kompetente, po t’i jepte një epitet organik menaxhimit të saj të financave publike do të ishte ‘trombozë’ ekonomike. Derisa dikush mund të ketë shkaktuar gjakderdhje financiare, këta po shkaktojnë ‘trombozë’ ekonomike.
Në vend se gjatë këtij viti, menjëherë pas krizës ekonomike (të paren në Republikën e Kosovës) të shkaktuar nga pandemia, kjo Qeveri të rriste investimet kapitale, ajo vendosi të kursejë. Siç e kam treguar paraprakisht, bilanci bankar i thesarit të shtetit tonë ishte rreth 500 mil euro në fund të gushtit. Me shumë gjasë, kjo shifër është rritur tutje deri tani.
Investimet kapitale janë një mjet për të arritur zhvillim afatgjatë edhe gjatë periudhave të krizave. Ato janë sidomos mjet për rimëkëmbje pas krizës. Prandaj është e domosdoshme që këto investime së paku të mos bien, në mënyrë që edhe ta kthejnë besimin e tregut, por edhe të ndikojnë në rikthim sa me të shpejtë!
Deri sot nuk pamë asnjë intervenim transformues nga qeveria për ekonominë. Edhe këta përfunduan në të njëjtin kosh. Një koncept neoliberal, një koncept ku shteti është pasiv e në këtë rast edhe kursyes! Në situata të tilla, rruga e vetme përpara, siç na tregon historia është veprimi kundër-ciklik. Pra është ndërhyrja direkte e shtetit në ekonomi, duke derdhur para në pojekte kapitale publike.
E kemi një shembull, kur presidenti i SHBA, Franklin Roosevelt kishte angazhuar shkrimtarët të shkruajnë guida turistike duke i paguar, sepse synonte të fus para në ekonomi. Pra ka shpikur projekte dhe programe. Projektin e Digës së Madhe e ka bërë në periudhën më të vështirë ekonomike. Logjika është e thjeshtë. Kërkesa agregate rritet vetëm atëherë kur shteti e kthen besimin në ekonomi.
Të gjitha këto për dy dekada janë dëshmuar si të gabuara dhe pa rezultat. E vazhdimi i kësaj qasje është në kundërshtim me atë që e flet tash Kryeministri, por çfarë fliste tash 15 vite, e si janë duke vepruar Ministrat e tij të Ekonomisë dhe Financave! Dhe kështu nëse krahasohen investimet kapitale të qeverisë përgjatë periudhës janar-gusht 2021 me dhjetë vitet paraprake (nga 2011 në 2020), del se ky ekzekutiv ka shpenzuar mesatarisht rreth 50 milion euro më pak në invesitme kapitale. Paramendoni, nuk kanë arritur as ta tejkalojnë performancën e qeverive ‘keq-qeverisëse’.
Ky nuk është ‘ndryshimi i madh’.
Në vend se Qeveria ta ndihmojë ekonominë duke futur më shumë para në ekonomi (meqë ka shumë mundësi, plotë 500 milion euro janë në ndejë, sic edhe shihet nga bilanci bankar), këta duket se fërkojne duart se mos sektori privat dhe diaspora ua sjellin rritjen dyshifrore – siç e ka paralajmëruar vet
Ministri i Financave.
Në vend të shtytjes së mëtutjeshme të aktivitetit ekonomik, këta kanë vendosur të bllokojnë aktivitetin ekonomik, prandaj edhe ‘tromboza’ ekonomike. Rritja dyshifrore ndoshta edhe mund të arrihej – por jo me manipulim të dhënash dhe as me spektakël numrash në komuna.
Po ta krahasojmë performancën e ekonomisë tonë me atë të shteteve në rajon, siç e përmenda edhe në postimin e kaluar, Kosova nën mesataren rajonale për nga aktiviteti ekonomik gjatë tremujorit të parë. Nëse marrim shembull Serbinë (ndër të vetmet shtete me të dhëna të përditësuara), një shtet i goditur më lehtë sesa ne nga kriza, e me gati dyfish më shumë BPV për kokë banori sesa Kosova – rezulton se Kosova ka shpenzuar më pak sesa Serbia në investime kapitale si përqindje ndaj GDP, e gjithsesi edhe si shumë totale.
Andaj, rrugë të gjate kemi për të berë me këtë mendësi. Së pari duhet të ndalet loja me të dhënat, të ndryshohet modeli ekonomik, të tejkalohet performanca e paraardhësve, e më pas ndoshta edhe të tejkalohen vendet rajonale.
Rruga ështe e gjatë, mirëpo fillon me hapin e parë – tërheqjen nga manipulimi me të dhëna!