Me rastin e prezantimit të këtyre dy akteve nënligjore para Kabinetit qeveritar, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, theksoi se hartimi dhe finalizimi i këtyre dy akteve nënligjore si dhe procesi i deritashëm është bërë në bashkëpunim me të gjithë akterët relevant dhe me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për këtë, theksoi ministrja Hoxha, u jemi mirënjohës dhe shumë falënderues. Kështu, theksoi ajo, po finalizohet procesi i kompensimit të viktimave të krimit.
“Me aprovimin e këtyre dy akteve nënligjore, po kompletohet legjislacioni i nevojshëm dhe rrjedhimisht mund të fillohet me procesin e kompensimit të viktimave të krimit, proces për të cilin Ministria e Drejtësisë është shumë e përkushtuar të fillojë sa më parë”, theksoi ministrja Hoxha.
Udhëzimi Administrativ për regjistrat për parashtruesit e kërkesës dhe për vendimet e lëshuara rreth kompensimeve rregullon kushtet për mbajtjen e regjistrave duke filluar nga pranimi i lëndës e deri tek nxjerrja e vendimit dhe komunikimin i tyre palëve, po ashtu rregullon edhe pjesën e arkivimit të dokumentacionit dhe qasjes në evidencë si dhe dispozitave të cilat janë të nevojshme gjatë punës së komisionit i cili do të bëjë vlerësimin e kërkesave për kompensim.
Kurse Udhëzimi Administrativ për mënyrën e kompensimit përfshirë edhe llogaritjen e kompensimit për dëmtimet e shumëfishta rregullon kërkesën për kompensim, ku përfshin plotësimin e saj, dorëzimin dhe afatin brenda së cilit duhet të dorëzohet, me qellim të lehtësimit të qasjes në të drejtën e viktimave në kompensim, Po ashtu parashihet edhe çështja e kompensimit të viktimave nga burimet tjera, kjo me qëllim të shmangies së mundësisë së përfitimit të dyfishtë, si dhe çështjen e kompensimit të viktimave të huaja dhe mënyrës së komunikimit në mes autoriteteve përkatëse.