Qeveria krijon komision për matjen e territorit të Kosovës

Prishtinë | 23 Dhj 2016 | 10:17 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të 122-ën me radhë, ku ka miratuar projektligje dhe vendime tjera të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Mustafa përshëndeti pjesëmarrjen në mbledhje të ministres së re të Administrimit të Pushtetit Lokal, znj. Mirjana Jevtiq, duke i dëshiruar suksese dhe duke e siguruar për përkrahjen e Qeverisë në punën e saj.

Kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore, që ka për qëllim ruajtjen e shëndetit të njerëzve dhe të mjedisit nga efektet e dëmshme nga rrezatimi dhe të siguroj një nivel më të lartë të sigurisë bërthamore si dhe të përmbushen detyrimet ndërkombëtare që ka Kosova në këtë fushë. Projektligji përcakton, statusin, detyrat dhe përgjegjësitë e Agjencisë së Kosovës për Mbrojtjen nga Rrezatimi Bërthamor.

Është miratuar edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-072 për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-214. Ndryshim plotësimi i këtij projektligji është paraparë me masat legjislative afatshkurta në kuadër të Planit për zbatim të MSA-së.

Kabineti, gjatë kësaj mbledhje, ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës.

Zëvendëskryeministri Kuçi me këtë rast tha se “Me idenë e kryeministrit dhe mbështetjen e partnerëve të koalicionit, kemi ardhur në përfundim që të themelojmë një komision të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, i cili ka për detyrë që të bëjë matjen e territorit të Kosovës para datës 25 gusht të vitit 2015, dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi. Në kuadër të këtij komisioni janë paraparë disa përfaqësues institucionalë dhe disa të tjerë, përfshirë në veçanti përfaqësues nga Akademia e Shkencës dhe e Arteve të Kosovës, Fakulteti i Shkencave Matematikore-Natyrore, nga opozita: Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën,; dy ekspertë nga Shoqëria Civile, nga Agjencioni i Kadastrave të Kosovës, nga Agjencioni i Pyjeve, KOSTT-i, Agjencia e Privatizimit, Policia e Kosovës, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Komuna e Pejës, dy përfaqësues nga zona e Rugovës së Komunës së Pejës, nga Komuna e Deçanit, Istogut dhe Junikut. Është paraparë, po ashtu, që punën e komisionit ta vëzhgojnë përfaqësues të Bashkimit Evropian, të Ambasadës Amerikane, të KFOR-it dhe të EULEX-it”, bëri të ditur zëvendëskryeministri.

Kryeministri Mustafa, me këtë rast, nënvizoi se objektivi themelor i këtij Komisioni, është të vërtetojë sa është territori i Republikës së Kosovës dhe a ka pasur ndryshim në sipërfaqen e Kosovës në krahasim me territorin para datës 25 gusht të vitit të kaluar dhe pasi që është nënshkruar marrëveshja për shënimin e vijën kufitare me Malin e Zi, në mënyrë që para opinionit publik, por edhe para deputetëve, të sqarohet se a ka humbur apo jo Kosova territor me nënshkrimin e marrëveshjes me Malin e Zi. “Unë mendoj se është një veprim i mirë, e kemi koordinuar këtë çështje edhe me zëvendëskryeministrin, kemi konsultuar edhe Presidentin, edhe kryetarin e Kuvendit. Kemi vlerësuar bashkërisht se janë këta që zëvendëskryeministri i parë i shprehu si subjekte, si agjenci, si palë, ata që do të ishte mirë të jenë aty që ta konstatojmë bashkërisht, ta informojnë Qeverinë dhe ne pastaj ta informojmë opinionin lidhur me të gjeturat. Pasi ta miratojmë, do të kërkojmë nga organizatat, që ata t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre”, ka thënë kryeministri.

Qeveria gjatë kësaj mbledhje ka marrë vendim për vazhdimin e mandatit të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit, në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike, dhe vazhdimin e mandatit të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Është miratuar edhe Dokumenti “Vlerësimi i Rreziqeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera” , që ka identifikuar mundësitë dhe nevojat për parandalimin, zvogëlimin e rreziqeve, rangimin, rimëkëmbjen dhe evitimin e pasojave nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera.

Kabineti ka marrë vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM, Pikat Kufitare: Bernjak, Merdar dhe Mutivodë .

Qeveria ka miratuar Koncept Dokumentin për rregullimin e fushës së masave mbrojtëse në importe, që ka për qëllim rregullimin e kësaj fushe në bazë të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë për shkak të pengesave në zbatimin e Ligjit aktual për Masat Mbrojtëse në Importe.

Kryeministri Mustafa ka kërkuar që në procesin e hartimit të ligjit, mos të përcaktohen kushte të vështira për implementim.

Është miratuar edhe Koncept dokumenti për fushën e kërkesave teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit, që ka për qëllim rregullimin e kësaj fushe në bazë të kërkesave të tregut dhe harmonizimit sa më të përafërt me rregulloret e institucioneve të BE-së.

Kabineti ka miratuar vendimin për vazhdimin e mandatit të Komisionit të Ankesave për Riintegrim, që është themeluar me vendim të Qeverisë.

Edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për Themelimin e Komisionit të Ankesave për të Huajt, mori miratimin e kabinetit qeveritar. Ndryshimet vijnë pasi disa anëtarë të komisionit kanë ndërruar vendin e tyre të punës dhe si rezultat i tyre pritet që të bëhet edhe zëvendësimi i tyre.

Në mbledhjen e sotme u miratua edhe vendimi për kursime dhe ndarje të mjeteve, në pajtim me nenin 14 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016.

Kabineti qeveritar miratoi Dokumentin “Plani i Masave dhe Përmirësimi i Cilësisë së Ajrit dhe Gjendjes së Mjedisit në Kosovë”, me qëllim të tejkalimit të gjendjes së cilësisë së ajrit dhe mundësive të parandalimit të ndotjes.

Gjatë mbledhjes, U.D Ministri i MMPH-së, Ferat Shala, ka prezantuar planin të masave për zvogëlimin e ndotjes ku edhe janë përcaktuar veprimet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata që duhet të ndërmerren me synim përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe gjendjen e mjedisit.

Kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë në drejtim të mbrojtjes së mjedisit dhe tejkalimin e problemeve që janë krijuar së fundi me ndotjen e ajrit.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, informoi kabinetin qeveritar për hapat që janë ndërmarrë për Planin e Veprimit për Implementimin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, duke theksuar se është aprovuar statuti i Fondit, Rregullorja për menaxhimin financiar dhe është përgatitur Rregullorja e re për organizim të brendshëm të Fondit që shumë shpejt do të procedohet në Qeveri.

Në këtë mbledhje, është bërë Prezantimi i Konkluzioneve nga Grupi i Veçantë për Reformë të Administratës Publike dhe ecuria në hartimin e koncept dokumenteve nga fusha e administratës publike. Këto konkluzione, ndër të tjera, kërkojnë që deri në fund të muajit shkurt të vitit të ardhshëm, të miratohen koncept dokumentet për Ligjin mbi Shërbimin Civil, Ligjin për Pagat dhe Ligjin për Organizimin e Administratës Shtetërore. Po ashtu pjesë e konkluzioneve është edhe nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi në mes të Kuvendit dhe Qeverisë në lidhje me racionalizimin e Agjencive.

Në mbledhjen e Qeverisë u aprovua edhe kërkesa e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për dhënien e autorizimit për zhvillimin e të gjitha procedurave që parashihen për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për të mbështetur dy institucione arsimore, institucionin e arsimit të lartë SPARK dhe Gjimnazin “Loyola”.

Të ngjashme