Qeveria në detyrë merr vendime për shpronësime dhe themelimin e një ndërmarrjeje

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Në mënyrë elektronike, është mbajtur mbledhja e 68-të me radhë e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë mbledhje anëtarët e ekzekutivit kanë miratuar vendime dhe dokumente të ndryshme, në mesin e të cilave edhe disa vendime për shpronësime.

Të gjitha vendimet që u morën nga Qeveria:

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin ka obliguar të gjitha institucionet publike në Republikën e Kosovës që të bashkërendojnë aktivitetet e tyre me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (ASHI/MPB), për zhvillimin e sistemeve elektronike dhe integrimin e tyre në infrastrukturën dhe platformat qendrore të sistemeve të informacionit në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Me këtë rast, obligohet ASHI/MPB të paraqesë për miratim në Qeveri draftin e Strategjisë së Qeverisjes Elektronike brenda tre (3) muajve si dhe Policia e Kosovës që të rrisë kapacitetet hetuese për parandalimin e sulmeve kibernetike në bashkëpunim me institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për:

–     Ndërtimi i Objektit të ri të Gjykatës Themelore në Pejë, Komuna Pejë.

–     Ndërtimi i Objektit të ri të Gjykatës Themelore në Prizren, Komuna Prizren.

–     Renovimi dhe ndërtimi i ish objektit të filialës së “Jugobankës” në Mitrovicë, për nevoja të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Komuna Mitrovicë.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme:

–     Në Zonën Kadastrale Bresallc, Komuna Gjilan, e cila preket nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë;

–     Në Zonën Kadastrale Balincë Komuna e Malishevës, e cila preket nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N9, Prishtinë-Pejë dhe;

–     Në Zonën Kadastrale Milloshevë, Komuna e Obiliqit, e cila preket nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë.

Në vazhdim të mbledhjes, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për anulimin, ndryshimin dhe plotësimin e pjesërishëm të Vendimit Përfundimtar Nr.12/71, datë 23.10.2018, me të cilin janë miratuar shpronësimet e pronave të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës “Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, Segmenti Banullë – Bresallc, që prek komunat Lipjan (Zonat Kadastrale Banullë, Sllovi, Smallushë), Novobërdë (Zona Kadastrale, Parallovë) dhe Gjilan (Zonat Kadastrale Bresalc, Ponesh dhe Zhegovc).

Qeveria ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të Objekteve të cilat menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të cilat preken nga realizimi i projekteve: ndërtimi i Parkut që do të shërbejë për amfiteatrin e fshatit Mushtisht dhe ndërtimi i “Çerdhes së fëmijëve dhe këndi për të moshuarit’’, në fshatin Studençan, Komuna e Suharekës.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale  “Kastrioti Sh.A.” Obiliq, me 100 % të aksioneve nga Komuna e Obiliqit. Me këtë vendim, komuna e Obiliqit autorizohet që të veprojë në emër të aksionarit të vetëm në NPL “ Kastrioti” Sh.A. dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e ligjshme, duke përfshirë regjistrimin sipas Ligjit nr.02/L-016 për Shoqëritë Tregtare.

Qeveria e Kosovës, po ashtu ka miratuar vendimin me të cilin obligohet Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) që në bashkëpunim me Ndërmarrjet Publike Qendrore të përgatis dhe raportojë në Thesarin e Kosovës (MF), të dhënat e plota, me kohë dhe të sakta, për huamarrjet e brendshme dhe ndërkombëtare të Ndërmarrjeve Publike Qendrore. Ky raportim duhet të bëhet në baza tremujore, jo më larg se 15 ditë pas përfundimit të çdo tremujori.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme