Qeveria nuk e ka në rend dite Projekligjin për Forcat e Armatosura

Prishtinë | 04 Maj 2018 | 13:52 | Nga

Qeveria e Kosovës nuk e ka në rend dite Projektligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës, në mbledhjen që pritet të mbahet në orën 14:00. Informatat.com ka siguruar rendin e ditës të kësaj mbledhjeje, por nuk dihet nëse në të ndryshme, kryeministri Ramush Haradinaj, do të shtojë procedimin e Projektligjit.

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, ka thënë për informatat.com se MFSK në përputhje me Strategjinë Legjislative të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Planit Veprues të MFSK-së, me kohë i ka bërë kërkesat tek Ministria e Financave për Deklaratë Financiare të kostos buxhetore si dhe dhënies së pëlqimit nga Ministria e Integrimeve Evropiane, që draft ligjet janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së.

“Aktualisht pritet që Ministria e Financave, ta harmonizoj së shpejti me KASH-in (Korniza Afatmesme e Shpenzimeve për periudhën 2019-2021) të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sipas premtimeve që kemi nga këto dy ministri, Draft Ligjet e kompletuara gjatë kësaj jave do të dërgohen në Qeveri,” është shprehur Ramadani.

Të hënën ka qenë dita kur Qeveria e Kosovës do të duhej të procedonte Projektligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës.

Sipas Programit Legjislativ të Qeverisë së Kosovës, ky projektligj 30 prillin e kishte si afat të fundit për procedim në Kuvendin e Kosovës.

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka paralajmëruar dorëzimin e Projekltigjit, por nuk dihet nëse është i njejti që ju pati dorëzuar për shqyrtim, pas inicimit të presidentit, Hashim Thaçi.

Më 7 mars të vitit të kaluar Presidenti Thaçi i dorëzoi kryeparlamentarit, Kadri Veseli projektligjin për Ushtrinë e Kosovës.

Ka më shumë se tre vjet që kur Presidenti e kishte paralajmëruar themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Iniciativa për fuqizim të rolit të FSK-së pa ndryshime kushtetuese pati ngjallur reagime të shumta të faktorit ndërkombëtarë, dhe hapatas nuk kishte marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe NATO-s.

Këta të fundit kërkojnë ndryshimet e nevojshme kushtetuese që mundësojnë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Përmes Projektligjit pretendohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të bëhet një ushtri moderne shumetnike, profesionale, me karakter mbrojtës, e cila do të dizajnohet për të mbrojtur qytetarët e Kosovës dhe do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes në rajon dhe në botë, sa herë që Kosovës i kërkohet të jap kontributin e saj në këtë drejtim.

Projektligji rregullon misionin, funksionimin dhe detyrat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, organizimin e saj dhe çështje të tjera që ndërlidhen me aktivitetet dhe kushtet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë të Kosovës.

Pavarësisht kësaj, për të ndodhur transformimi i FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese kërkohet edhe vota e pakicave, dhe Lista Serbe ka shprehur hapur kundërshtimet ndaj votës për themelimin e ushtrisë.

Ndryshimet kushtetuese do të përfshinin ndryshimet e 39 ligjeve.

Ushtria është përmendur shpesh nëpër tryeza pjesë e të cilave ishin partitë politike, duke u cilësuar si çështje urgjente me interes nacional.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme