Historikisht, kjo Qeveri do të mbahet mend si Qeveria që ka tentuar të luajë rolin e “Inspektorit të Përgjithshëm” të politikës së jashtme të SHBA-së dhe BE-së.
Këta nuk e kanë pëlqyer mënyrën e zgjerimit të NATO-s, nuk janë pajtuar me zgjedhjen e lirë të qytetarëve amerikanë, francezë, shqiptarë dhe të tjerë, por kanë tentuar t’u tregojnë atyre se si dhe për kë duhet të votojnë. Nëse ju kujtohet, në takimin e parë të CEFTA-s, Kurti, si “përfaqësues i një fuqie bërthamore”, u tha se gabonin dhe se nuk duhet të ishte CEFTA, por CESTA apo diçka e tillë pa lidhje.
Kjo qeveri ka dashur të inspektojë dhe përcaktojë edhe politikën e aleatëve ndaj Serbisë; dhe duan me çdo kusht të përcaktojnë interesat politike, ekonomike e të tjera të këtyre vendeve ndaj Serbisë. Ata e analizojnë çdo veprim të aleatëve në Ballkanin Perëndimor, duke gjykuar nëse është i drejtë apo i padrejtë, sikur populli i Kosovës të mos i ketë zgjedhur pikërisht për të mbrojtur Kosovën nga padrejtësitë.
Në çdo prononcim të papëlqyeshëm për ta nga diplomatët aleatë, në njërën anë ankohen se është padrejtësi, e në anën tjetër ia vërsulin fyerjet në rrjetet sociale përmes aktivistëve të tyre. E kur flasin zyrtarët e VV-së për padrejtësi, flasin aq tharbët, sa të rrënqethet trupi.