Qeveria e Kosovës duket e vendosur që çështjen e kufirit me Malin e Zi në versionin aktual ta dërgojë për ratifikim në Kuvend.
Pavarësisht thirrjeve dhe kundërshtimeve të opozitës, kryeministri Isa Mustafa e ka në plan që ta çoj deri në fund kërkesën edhe të Bashkimit Evropian dhe së fundmi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Burime të RTV Dukagjini kanë bërë të ditur se Qeveria do të mblidhet të mërkurën në orën 10:00 dhe do të miratojë e procedoi në Kuvend marrëveshjen me Malin e Zi.
Të njëjtat burime kanë bërë të ditur po ashtu se procedimi i demarkacionit do të bëhet në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit dhe nuk do të priten procedurat e rregullta ta parapara me rregulloren e Kuvendit.
“Marrëveshja me Malin e Zi do të procedohet të mërkurën. Çdo gjë është gati. Qeveria do ta miratojë atë dhe në Kuvend do të shkohet me procedurë të përshpejtuar konkretisht me thirrjen e seancës së jashtëzakonshme pasi nuk ka kohë që kjo çështje të shkoi në procedurë të rregullt”, ka shpjeguar më tej burimi.
Së fundmi janë rritur sërish debatet për çështjen e demarkacionit sidomos pasi Parlamenti Evropian e ka shtyrë votimi për viza për Kosovën për në shtator, pikërisht për shkak se sipas tyre Kosova nuk ka lëvizur me përmbushjen e kritereve e njëra nga to ishte pikërisht demarkacioni.
Opozita ka paralajmëruar se nuk do të lejoj që në Kuvend të kaloj kjo çështje, madje kanë thënë se do të përdorin të njëjtat metoda siç kanë bërë në të kaluarën në mënyrë që të mos kalojë kjo marrëveshje.
Së fundmi edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj nëpërmjet një video mesazhi i ka bërë thirrje deputeteve të koalicionit në Qeveri që të votojnë kundër për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Deputetë të opozitës kanë shkuar edhe më larg duke thënë së përcaktimi i vijës kufitare në këtë format mund të çoj edhe deri në konflikt të armatosur me Malin e Zi.